Ish-politikani, Azem Vllasi, ka thënë se ashtu siç kishte deklaruar edhe disa vite më herët është i gatshëm që të përfshihet në ekipin dialogues me Serbinë.
Ai ka thënë se nëse ftohet nga Qeveria Kurti është i gatshëm që të japë kontributin e tij në këtë proces duke shtuar se e njeh mirë historikun e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithsesi dhe çdokush prej nesh që mund të kontribuojë diçka dhe nëse ftohet të ndihmojë diçka është i obliguar që të përgjigjet. Kur pati filluar dialogu jam ofruar që të jem pranë, sepse e njoh shkëlqyeshëm historikun e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe emrat që janë përmendur para disa ditësh dhe kushdo që mund të kontribuojë qeveria dhe kryeministri duhet ta ketë afër”.
Vllasi, në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe se politika kosovare duhet të gjejë unitet për këtë çështje.
“Dialogu gjithsesi duhet të vazhdojë dhe nga pala kosovare duhet të ketë konsensus dhe unitet, sepse dallime në çështjet esenciale nuk ka derisa grindjet dhe inatet e vogla duhet t’i lëmë anash. Nuk duhet nga ana jonë, prej kryeministrit [Albin Kurti] që të thuhet se s’e kemi prioritet dialogun, sepse dialogu është një prej çështjeve me prioritet, sidomos në politikën e jashtme. Ne jemi në pozicion më të mirë, sepse prej shteteve kryesore perëndimore askush s’po kërkon nga ne që të heqim dorë nga shtetësia apo të bëjmë kompromise për çështjen e shtetësisë. Bota ka shumë probleme të tjera dhe nuk mund të merren me ne dhe Serbinë pafundësisht. Duhet të ekzistojë një bashkëpunim i plotë mes pozitës dhe opozitës, sepse kjo është çështje për interes të shtetit”.
Ish-politikani ka deklaruar se nuk është mirë që secila qeveri që vjen të pretendojë se nuk është bërë asgjë në procesin e bisedimeve me Serbinë, derisa ka shtuar se pala kosovare nuk duhet ta vë në tavolinën e dialogut çështjen e shtetësisë, kufijve dhe strukturën e brendshme kushtetuese.
“Nuk është mirë që secila qeveri që vjen, që te ne ndërrohen shpesh, nuk duhet të sillet sikur po ja nis prej fillimit dhe sikur nuk paska ekzistuar asgjë deri tash. Që sa vjet merremi me çështjen e dialogut dhe disa vija të kuqe dhe disa parime janë përcaktuar. Parimi kryesor është që ne në dialog po shkojmë si shtet – shteti i Kosovës me shtetin e Serbisë dhe jo Prishtina e Beogradi, siç thuhet nga pala serbe. Duhet të thuhet qartë për çka nuk ka dialog – shtetësinë e Kosovës, territorin dhe kufijtë dhe për strukturën e brendshme kushtetuese të Kosovës që është shtet unitar. Askush nga perëndimorët në Bruksel, dhe SHBA-të jo se jo, nuk po insistojnë që ne të bëjmë konsensione në këto çështje. Një nga çështjet më të dhimbshme dhe prioritet është çështja e të pagjeturve. Për disa tema në marrëveshjen finale duhet të përcaktohen edhe disa afate kohore dhe ajo që është më kryesorja është që marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke – gjë që e përsërisin amerikanët, shtetet kryesore të Bashkimit Europian”.
“Synim i palës kosovare në Bruksel duhet të jetë që t’i përkujtohet Aleksandar Vuçiqit i cili përsërit vazhdimisht frazën për një ‘zgjidhje kompromisi’. Dialogu në Bruksel është përcjellë prej Këshillit të Sigurimit si dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe jo siç shprehet pala serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse kjo çështje është zgjidhur dhe Kosova është shtet. Ne po shkojmë në dialog vetëm si dialog për normalizimin e marrëdhënieve, sepse çështja e statusit të Kosovës është kryer me vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.