Raportet mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama nuk janë në pikën më të mirë të mundshme.
Mes tyre vazhdimisht ka patur replika në distancë, replika të cilat janë shtuar së fundmi edhe për shkak të përfshirjes direkte të kryeministrit Kurti në fushatën elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri.
Kryeministri Kurti ka patur mospërputhje idesh edhe sa i përket “Mini-Shengenit” Ballkanit me Edi Ramën, ide të cilën ai e ka proklamuar fort.
Me ardhjen në pushtet të Kurtit, u thellua edhe më tej ndarja mes tyre pasi i njëjti nuk pranoi vaksinat donacion të dhuruara nga Shqipëria për mësuesit kosovarë, me faktin se ishin të pacertifikuara.
Një temë tjetër për të cilin Edi Rama është akuzuar, është edhe përfshirja e tij direkte në ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Por çfarë roli pritet të luaj tashmë Edi Rama në procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas marrëdhënieve të tensionuara mes tij dhe Kryeministrit Kurti?
Njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, tha për “Gazeta Blic” se ka përfundu koha kur Edi Rama involvohej në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai thotë se përpara ardhjes në pushtet të VV-së, me ftesë të presidentit Thaçi, zoti Rama ka qenë si një urë lidhëse mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk besoj që do të involvohet në çfarëdo procesi të dialogut, zoti Rama, sepse ka përfundu koha kur është inolvu. Përpara ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, me ftesën e Presidetit Thaçi, për protagonizëm e kanë fut edhe Edi Ramën si një lloj ure lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut. Kjo mundësi duket që nuk do të jetë kësaj radhe sepse Qeveria është duke përgatitur platformën e dialogut. Mbi të gjitha kemi edhe ekipin e ekspertëve që po përflitet, është shumë mirë që është bërë si një pjesë ndihmëse karshi procesit të dialogut. Me të gjitha këto rrethana dhe me të gjitha këto elemente nuk mendoj se përfshirja e zotit Rama në procesin e dialogut do të ketë më vend. Sa i përket marrëdhënieve mes dy shteteve, unë besoj se janë mjaftueshëm të pjekur politikisht të dy kryeministrat si zoti Kurti po ashtu edhe zoti Edi Rama që marrëdhëniet mes dy shteteve, jo të mbeten në këtë pikë që janë, por të avancohen tutje”
Alija thekson se këto raporte janë ‘krisur’ mes tyre pasi Edi Rama ka patur aleatin më të mirë në Kosovë, Hashim Thaçin.
“Ka histori marrëdhënia ndërmjet Edi Ramës dhe zotit Kurti. Diku në të kaluarën, përpara se Rama me marr pushtetin, para vitit 2013, marrdhëniet mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialiste kanë qenë shumë të mira, madje dhe bashkëpunuese, kanë qenë edhe si dy subjekte politike në Internacionalen Socialiste. Por pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës kanë fillu këto përqarjet mes VV-së dhe Edi Ramës. Kjo pastaj ka marrë kahje gjatë procesit të dialogut sidomos gjatë vitit 2018-2019. Shto pastaj këtu faktin që zoti Rama ka kërkuar një aleat në shtetin e Kosovës dhe aleatin më të mirë ka patur zotin Thaçi. Kjo pastaj ka që edhe në raporte jo të mira ndërmjet dy liderve”
Ndërsa analisti politik Nexhmedin Spahiju parashikon raporte të tensionuara Kurti-Rama.
Spahiju potencon se është interes i Kosovës dhe i Shqipërisë që Edi Rama të jetë sa më larg dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“E sigurt që marrdhëniet mes Ramës dhe Albin Kurtit do të jenë të tensionura. Eshtë interes i Kosovës dhe i Shqipërisë që Edi Rama të jetë sa më larg dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo nuk sjellë asnjë interesi, besoj se aleatët e Kosovës dhe aleatët e Shqipërisë do t’ia sygjerojnë po këtë gjë, që ai mos të jetë i involvuar. Involvimi i tij sigurisht që i sjell dëm Kosovës” tha Spahiju për “Gazeta Blic”
Raportet e ftohta mes tyre u panë edhe pas fitores së Partisë Socialiste në Shqipëri, ku Kryeministri Kurti e uroi Edi Ramën vetëm dy ditë pas fitores.
/Gazeta Blic/
Kurti në Parlamentin Evropian: Kosova në tryezën e bisedimeve ulet si palë e barabartë me Serbinë


