Lajme

​Para 14 vjetësh ekipi fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit vizitoi Krushën e Vogël

04/28/2021 07:57
nga:M K

Një delegacion fakt-mbledhës i Këshillit të Sigurimit më 28 prill 2007 arriti për vizitë në Krushë të Vogël, ku serbët kryen masakra të tmerrshme ndaj popullatës së pafajshme shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ambasadorët e 15 shteteve anëtare të KS të OKB-së vizituan shtëpinë ku u masakruan, vranë dhe u karbonizuan të 113 meshkujt e këtij fshati, prej moshës 13-vjeç deri te pleqtë.

Të pritur nga nëna, gra të veja e fëmijë jetimë, me emrat e të dashurve të shënuar në çarçafë të bardhë, ambasadorët u informuan nga gjashtë dëshmitarët e mbijetuar, se masakra e cila i ngjan Srebrenicës dhe asaj të Vukovarit, është kryer nga serbët lokalë.

Delegacioni fakt-mbledhës i KS të OKB-së gjatë kësaj vizite në Kosovë ishte takuar me liderët kosovarë, përfaqësues të pakicave, shefin e UNMIK-ut, Joachim Rucker dhe komandantin e KFOR-it, gjenerali Roland Kather.

Kryesuesi i delegacionit, ambasadori belg Johan Verbeke vizitën dyditore në Kosovë e vlerësoi si të suksesshme, për faktin se tashmë kanë një pasqyrë më të qartë për gjendjen në terren.

“Vendosja e çështjeve me rëndësi, kurrë nuk do të duhej të paraprihej me përkufizime kohore. Vendimet e mëdha të cilat vijnë si rezultat i negociatave, janë procese të natyrshme dhe si çështje kaq të rëndësishme, duan kohë dhe hapësirë”, pati deklaruar Verbeke në Prishtinë, para nisjes së delegacionit për në Vjenë, ku do të pasonte takimi me emisarin special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

LEXO EDHE:

9671 raste aktive me koronavirus në Kosovë