Lajme

Meta nga Fieri: Pjesëmarrja masive në votime, vendimtare në çeljen e negociatave

04/25/2021 17:12
nga:Gazeta Blic

Presidenti Ilir Meta, nga Fieri ku dhe ka monitoruar nga afër procesin e zgjedhjeve, i fton qytetarët të votojnë, duke shtuar se çdo shqiptar e ndjen përgjegjësinë që ka përpara vendit dhe fëmijëve të tyre.

“Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e të mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit, dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit. I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë votuar, por edhe ata që kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë deri në fund, të rikthehen, të japin votën e tyre. Ftoj në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat e vendit, që të tregojnë se Shqipëria ka nevojë për votën e tyre, energjinë e tyre, optimizmin e tyre. Mbarëvajtja e procesit në këtë mënyrë do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, përveçse do të na rikthejë në normalitetin e domosdoshëm të të gjithë institucioneve në vend.”

Meta i pyetur në lidhje me marrëdhënien që ka me Ambasadoren Amerikane, Yuri Kim, ka thënë se marërdhëniet e tij me SHBA-në , kanë qenë dhe do të mbeten të mira

“Marrëdhënia me ambasadoren ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, e shkëlqyer. Primare është mbarëvajtja e këtij procesi, pasi është vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të do të mbeten të shkëlqyera. Zgjedhjet janë të mrekullueshme, kudo janë të mrekullueshme, në Shijak të mrekullueshme, kudo është fantastike.”

LEXO EDHE:

​Kosova prioritet hetimin e krimeve të luftës, por ka vetëm katër prokurorë specialë