Lajme

Analisti i njohur shqiptar për “Gazeta Blic”- Nuk parashikohet rezultati final i zgjedhjeve, Elbasani rrezikon sërish të ‘shpërthejë’

04/24/2021 14:23
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Enton Alibekaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me procesin zgjedhor që pritet të mbahet ditën e nesërme në Shqipëri.

Alibekaj duke folur për incidentet që kanë ndodhur deri tani dha se ato lidhen kyesisht me shit-blerjen e votës.

Tutje ai theksoi se situata në Elbasan mbetet e nxehtë dhe mund të shpërthejë në çdo moment.

“Nuk janë qytetarët ata që shkaktojnë probleme në procesin zgjedhor. Incidentet e deritanishme janë lidhur kryesisht me blerjen e votës, ose presionin që bëhet nga stukturat partiake. Përplasja me armë në Elbasan ishte rasti tipik i një përplasjeje partiake. Situata në Elbasan mbetet eksplozive dhe mund të shpërthejë në çdo moment. Në Durrës gjithashtu ka një situatë shumë të tensionuar, që mund të sjellë përplasje”

“Në qytetet e tjera, pavarësisht incidenteve, nuk pritet të ketë përplasje të mëdha. Duket sikur po flasim për një zonë lufte, ndërsa po i përgjigjem një pyetjeje të thjeshtë për procesin zgjedhor, por mendoj që atmosfera do të ishte krejt ndryshe nëse qeveria nuk do të investohej me të gjitha mjetet, kryesisht të paligjshme, për të deformuar votën në favorin e saj. Megjithatë mendoj që ditën e zgjedhjeve nuk do të ketë incidente, pasi blerja e votave përfundon të shtunën në darkë”

Alibekaj ka bërë edhe një rezyme të fushatës një-mujore të mbajtur në Shqipëri.

Ai potencoi se fushata e Ramës ka qenë liçuese ndaj kandidatëve të opozitës ndërsa kreu opozitar Lulzim Basha ishte më i qetë dhe sipas tij zhvilloi një fushatë pozitive.

“Fushata e Kryetarit të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama, ka qenë një potpuri batutash dhe premtimesh popullore, që janë përqëndruar kryesisht në linçimin e kundërshtarit për të harruar 2 mandatet e tij dhe premtime sa më të mëdha që të bëhen sa më të besueshme. E nisi fushatën duke i lincuar një nga një kandidatët e opozitës, duke sulmuar katërshen, Berisha-Basha-Meta-Kryemadhi, duke e lidhur sfidantin e tij me Berishën dhe Metën, në luftën për ta paraqitur si kthim tek e vjetra ardhjen e tij në pushtet. Premtoi porte dhe aeroportë të mëdha, investime të pamundura, për të tejkaluar premtimet e kundërshtarit. Me gjuhën popullore, me batutat prej komediani, ishte I kuptueshëm dhe ndonjëherë zbavitës, duke arritur ta përcojë lehtë mesazhin.

“Kryetari i PD me një gjuhë më pak të zhdervjelltë, por me një program ekonomik ambicioz dhe të detajuar, zhvilloi një fushatë positive. Në fillim u duk zgjedhje e gabuar, por sondazhet I dhanë të drejtë. Njerëzit e lodhur nga konflikti zgjodhën gjuhën optimiste dhe paqësore, mesazhet e shpresës, pavarësisht se besimi tek opozita nuk ishte i madh.  Kryemadhi dhe LSI, shkëlqejnë më shumë në takimet kokë më kokë se në pjesën propagandistike të fushatës. Gjithsesi, në programin me 5 prioritete, ka propozime që mund të kenë tërhequr vëmendjen e grupeve të interesuara” tha Alibekaj për Gazeta Blic.

I pyetur se si mund të jetë rezultati i 25 prillit, Alibekaj, tha se mbetet e vështirë të parashikohet pasi ka blerje masive të votës.

“Për shkak të blerjeve masive të votave, është e vështirë të parashikohet se kush do të jetë fituesi. Ajo që kam lexuar unë në fushatë, në takime dhe sondime të elektoratit, është fitorja e opozitës, me një diferencë jo të thellë. Njerëzit janë të zhgënjyer nga qeveria, janë të zemëruar me qeverisjen e 8 viteve të fundit, por nuk tregojnë besim tek opozita, ndërkohë që mungon një parti vërtetë sfiduese për klasën politike. Më shumë se mbështetja për opozitën, do të fitojë zemërimi me Edi Ramën. Zgjedhjet në Shqipëri ngjajnë në këtë aspect me ato në SHBA, ku u votua pro dhe kundër Trump, më shumë se sa për alternativat. Është një lloj referendum ëpr mandatin e tretë të Edi Ramës. Mendoj që shumica e shqiptarëve janë kundër mandatit të tretë” tha Alibekaj për “Gazeta Blic”

Nesër qytetarët e Shqipërisë presin t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Kryeministri Edi Rama po kërkon mandatin e tretë ndërsa lideri opozitar Lulzim Basha mandatin e parë si Kryeministër në krye të PD-së.

Sot heshtje zgjedhore në Shqipëri