Pas çështjes së Super Ligës që tronditi botën, ndonëse vetëm për 48 orë, figurat më të njollosura dolën ato të presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perezit, por mbi të gjitha ajo e Andrea Agnellit, numrit një të Juventusit.
Pa dyshim që duke parë rëndësinë e klubit bardhezi në Itali, por sigurisht edhe në sistemin e kontinentit të vjetër, kjo figurë e bërë nuk ka lënë një shije të mirë, edhe pse vetë Andrea e theksoi dy ditë më parë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet.
Por, nga ana tjetër, Xhon Elkan, financieri kryesor i familjes Agnelli, drejtuesi i grupit “Exor” po shtyn kushëririn e tij që të hapë krahun, për të larguar kështu presionin e madh nga Juventusi dhe futbollistët që e përbëjnë skuadrën.
DEL PIERO PRESIDENT – “Dagospia” i specializuar në çështjet investigative ka lëshuar një bombë, e cila konfirmohet edhe nga e përditshmja prestigjioze “Corriere della Sera”.
Ideja e Elkan është ajo që të largojë, qoftë edhe për vetëm disa kohë Andrea Agnellin nga roli i presidentit, por ndryshe nga çfarë mendohej, në poltronën drejtuese të mos ulet Alesandro Nasi, një tjetër trashëgimtar dhe pjesëtar i familjes Anjeli, por një figurë sportive, e pastër dhe shumë e dashur për popullin bardhezi si Alesandro del Piero.


