Lajme

Dita e Tokës shënohet me një sërë aktivitetesh

04/22/2021 08:23
nga:Q R

51 vite më parë, më 22 prill të vitit 1970, veprimtarë dhe shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, organizuan një mbrëmje vallëzimi për nder të planetit tonë dhe e quajtën ”Dita e Tokës”.

Kështu, për të parën herë, ngrihej shqetësimi për problemet e mjedisit. Në Avenunë e Pestë të New Yorkut me këtë rast u zhvillua një paradë dy-orësh.

Me këtë rast, më tepër se 10 milionë nxënësve të shkollave amerikane iu dhanë orë të veçanta mësimi për mjedisin, ku theksohej rëndësia e mbrojtjes së mjedisit; edhe Kongresi Amerikan i pezulloi punimet, në mënyrë që anëtarët e tij të mund të merrnin pjesë në veprimtaritë e organizuara në shtetet përkatëse me rastin e Ditës së Tokës.

Që nga viti 1970, kur filloi për herë të parë të festohet Dita e Tokës, ajo vazhdon të festohet çdo vit në vende të ndryshme të botës me aktivitete të ndryshme.

Edhe në Kosovë sot organizohen një sërë aktivitetesh për të shënuar këtë ditë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon aktivitet me rastin e shënimit të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Marrin pjesë ministrat Nagavci e Çeku.

Let’s Do It Kosova në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, organizon aksion pastrimi për nder të 22 prillit Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

Me rastin e shënimit të Ditës së Tokës, Green Art Center (GAC) dhe Shkolla e Gjelbër, organizojnë aktivitet.

OJQ “Projekti 5 cent”, për “Ditën e Tokës”, bën mbjellja e 51 fidanëve në oborrin e ShFMU “Ibrahim Rugova”, në Obiliq. Mbjellja e fidanëve do të bëhet nga 51 pjesëtarët e FSK-së. Marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, komandanti i FSK-së Rrahman Rama etj. (ShFMU “Ibrahim Rugova”, Obiliq)

LEXO EDHE:

11,496 raste pozitive me coronavirus në Kosovë