Lajme

Haradinaj: Njerëzit e Vetëvendosjes janë munduar të korruptojnë deputetë për zgjedhjen e presidentes

04/21/2021 21:20
nga:Gazeta Blic

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur se për seancën për zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani janë kontaktuar edhe deputetë të AAK-së, por edhe të partive të tjera nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Praktikat me joshje nuk i kontribuojnë demokracisë, aq më tepër kur këta janë thirrur se do të distancohen nga praktikat e mëhershme. Tash e kanë bërë të njëjtën, kanë kontaktuar me sms, kanë shkuar derë më derë… Kam parë edhe video të njerëzve të Vetëvendosjes që janë munduar të korruptojnë vota të deputetëve”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me këtë, ai në Rubikon ka përmendur Sali Zybën e Vetëvendosjes që edhe më herët është thënë se ka kontaktuar me deputetë që të merrnin pjesë në seancë.

“Zyba e ka pranuar që ka pasë takime dhe kjo është histori. Nëse ka shpifur kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është e drejta ligjore për paditje për shpifje. Kjo histori është e përfunduar. Ai mund të bëjë padi se e di saktësisht me kë ka folur në cilën komunë ka biseduar”, u shpreh Haradinaj.

LEXO EDHE:

Haradinaj për votën e Albena Reshitajt: Tentova ta bindja, ajo kishte vendosur