Togat e zeza të Tiranës dënojnë me 35 vite burg Alket Arapajn, ish-efektiv i Gardës së Republikës i cili qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij Ervilma Seferaj, më 12 shkurt 2019.
Në shkurt të këtij viti Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për vrasjen dhe e dërgoi çështjen në Gjykatë. Arapaj akuzohej për “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”. 46 vjeçari mund të dënohej me burgim të përjetshëm por për shkak të gjendjes psikike, ndaj tij u kërkua 35 vite burg.
Sot, Gjykata ka pranuar pretencën e Prokurorisë dhe ka dënuar ish-gardistin.
Si ndodhi vrasja
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit së 12 shkurtit 2019, teksa Alket Arapaj po dilte nga shtëpia në zonën e Alliasit, për në punë. Ai është konfliktuar me gruan e tij dhe në gjaknxehtësi e sipër e qëlloi për vdekje me dy plumba.
“Gruaja më tradhtonte prandaj e vrava. Kohët e fundit ishin shtuar dyshimet për tradhëti. Më vjen keq për vajzën, jam familjar i rregullt”, tha pas vrasjes Arapaj. Të dy bashkëshortët ishin besimtarë dhe frekuentonin rregullisht xhaminë e Tiranës.
Nga martesa 15 vjeçare, çifti Arapaj kishte një vajzë, e cila në momentin e vrasjes ishte në gjumë. Për krimin e rëndë policia e Tiranës është njoftuar nga vetë gardisti Alket Arapaj, i cili ka telefonuar numrin 112, duke u treguar policëve se ishte efektiv i Gardës dhe se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar armën e krimit një pistoletë tip “TT” që i përket Gardës së Republikës me 5 fishekë, dy gëzhojë dhe aparatet telefonike.
LEXO EDHE:


