Presidenti i Malit të Zi, i cili akuzoi qeverinë aktuale për paqëndrueshmëri, beson se një koalicion i ri i gjerë mund të formohet shumë shpejt.
Në këtë kuptim, Millo Gjukanoviq shtoi se sheh potenciale demokratike në Lëvizjen Qytetare të URA-s së Dritan Abazoviqit.
Në të njëjtën kohë, ai përjashtoi mundësinë e partneritetit të DPS-së me Frontin Demokratik. “Unë ende njoh disa kapacitete demokratike midis Demokratëve dhe URA-s”, tha Gjukanoviq.
Ai beson se është e mundur të arrihet një koalicion më i gjerë dhe mendon se do të ishte i dobishëm për Malin e Zi. “Na duhet të na jepet një shans dhe mendoj se do ta institucionalizojmë atë shumë shpejt”, tha Gjukanoviq.
Ai përsëriti se qeveria aktuale u formua nën kujdesin e një komuniteti fetar – Kishës Ortodokse Serbe dhe e quajti periudhën pas 30 gushtit të vitit të kaluar, kur DPS-ja e tij humbi pushtetin pas 30 vjetësh, “fillimi i sezonit të ngrënies”.
“Gjithçka që ka të bëjë me DPS po hahet. Sulmet janë një arsye shqetësimi dhe një arsye për një reagim që nuk është gjithmonë institucional”, tha Gjukanoviq mbrëmë në një intervistë me Televizionin Publik Malazez, TVCG, transmeton Express.
Ai deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare nuk janë e drejta për ta përmbysur shtetin.
“Nëse dikush guxon në qëllimin e tij të çmendur për t’i interpretuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare si e drejtë për ta përmbysur shtetin, unë me të vërtetë mendoj se nuk ka asnjë lidhje me politikën. Çfarë mendoni, nëse dikush sulmon shtëpinë tuaj, ju duhet të mblidhni një këshill familjar për të biseduar ndërsa dikush po ua shkatërron shtëpinë? Jo. Ju duhet ta mbroni shtëpinë”, tha Gjukanoviq.