Lajme

Tahiri: Për Albin Kurtin më e rëndësishme fushata në Shqipëri sesa jeta e qytetarëve tanë që po vdesin nga virusi

04/12/2021 11:47
nga:Gazeta Blic

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka mbajtur sot një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës ku ka shprehur shqetësimin për ikjen e kryeministrit Albin Kurti nga përgjegjësitë urgjente që ka Kosova.

Tahiri tha se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën dhe vet ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka quajtur këtë mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

“Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore.

Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Deklarata e plotë e Abelard Tahirit:

Të nderuar qytetarë të Kosovës

Të nderuar përfaqësues të mediave

Po bëhen tri javë prej se është formuar Qeveria Kurti 2 dhe ajo ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është adresë e qytetarëve, ndërkohë që në këto rrethana pandemie çdo qytetar ka nevojë të llogarisë në Qeverinë e vendit të tij.

Ne po shohim se për këto 20 ditë, kemi pasur Qeveri, por nuk kemi pasur qeverisje dhe as plan për qeverisje.

Kjo flet për mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

Që nga dita kur Albin Kurti është bërë Kryeministër, në Kosovë janë shënuar 14 mijë e 986 raste të reja me Covid-19.

Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin.

Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë.

E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore.

Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës.

Ai është vaksinuar vetë, por ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për të siguruar edhe një numër të konsiderueshëm vaksinash për qytetarët, ndërsa nuk ka treguar se prej ku i pret ndihmat e as vaksinat.

Për fat të keq, Kosova është jo vetëm vendi i fundit në rajon, por është në mesin e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit.

Dhe kjo nuk është çështje e thjeshtë, sepse gara për vaksina është garë për të shpëtuar jetë, e jo për të përshtatur teket ditore të një Kryeministri.

Përveç paaftësisë për menaxhimin e pandemisë në rrafshin e shëndetit publik, Kurti deri më sot nuk ka ndërmarrë as edhe një hap sa i përket dimensionit të gjendjes së ekonomisë në pandemi.

Ka marrë një vendim për mbyllje të disa profileve të bizneseve për një periudhë të caktuar, dhe i ka ekspozuar dy ministra në një konferencë për media – për ta dhënë gjoja një lajm se këto biznese do kenë mbështetje, edhe pse nuk u sqarua deri më sot – as si, as sa dhe as kur do ta ofrojë Qeveria këtë mbështetje.

Ajo që është edhe më shqetësuese – është se tashmë kemi hyrë në një periudhë që konsiderohet si sezon pune dhe iniciativë ekonomike, ku bizneset, punëtorët dhe ndërmarrësit bëhen aktivë për të gjeneruar punë dhe për të bërë planet e tyre vjetore.

Ata sot janë totalisht të vetmuar. Pa udhëzime, pa mbështetje dhe pa plan se si do t’i gjejë ky sezon i punës.

A do të lejohet sezoni i punës?

Apo, çfarë do të ndodhë me Projektin e Rimëkëmbjes Ekonomike që është miratuar në Kuvend?

Kjo paqartësi vjen për shkak se Qeveria as nuk ka plan dhe as nuk ka marrë mundin të bashkëbisedojë me ta.

Sepse, kjo gjë nuk është urgjente për Qeverinë.

Kjo Qeveri, që në javën e parë, dëshmoi se urgjente për të është punësimi i të afërmve të tyre në institucione.

Por, nuk treguan asnjë shenjë se e kanë prioritet përdorimin e institucioneve për t’u dalë në ndihmë familjarëve dhe familjeve të njerëzve të zakonshëm të Kosovës.

Prandaj, ne jemi të shqetësuar që, përkundër këtyre prioriteteve urgjente të qytetarëve dhe ekonomisë kosovare, Kryeministri Kurti e konsideron më të rëndësishme të bëjë fushatë për kandidatët e tij që marrin pjesë në zgjedhjet e prillit në Shqipëri.

Përballë kësaj gjendjeje, me këtë veprim, ai po na dëshmon se nuk e ndjen as si shqetësim, as si prioritet dhe as si obligim ballafaqimin me këtë situatë.

Nuk duhet të harrojmë se ai ishte opozitari që thoshte se ai di të qeverisë.

Ishte edhe Kryeministër për një periudhë të shkurtër, ku nëse s’ka arritur të bëjë asgjë, së paku ka mundur të mësojë diçka rreth dinamikës së punës së një Qeverie.

Prandaj, pretendimi i tij se është ende në fazën e planifikimit – është pretendim i rremë.

Prapa këtij planifikimi të pretenduar fshihet dështimi i plotë për të qeverisur.

Këtë nuk po e themi pse jemi opozitë ndaj Qeverisë së tij. E themi për shkak se secili qytetar sot është opozitë ndaj një qeverisje të tillë, të kujtdo qoftë.

Prandaj, ne ftojmë kryeministrin Kurti që të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të mos i shmanget qeverisjes.

Ne jemi gati edhe ta ndihmojmë kudo që mundemi, me aq sa mundemi. Por ne s’mund ta ndihmojmë pa qenë ai vet i vetëdijshëm se çfarë ka në plan të bëjë.

 

 

“Gjendja ekonomike nuk është urgjnete për Kurtin. Urgjente për të është punësimi i familjarëve të tij”