Gjatë ditës së sotme është mbajtur një protestë në Thirrë të Shqipërisë kundër hidrocentralit në këtë zonë.
Pjesë e kësaj proteste ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje me kandidatët për deputetë në zgjedhjet atje, por, në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe deputetët e VV-së nga Kuvendi i Kosovës.
Bujar Dugolli është parë duke mbajtur një fjalim para turmës teksa prapa tij qëndron pankarta “Për ne, jeni pushtues”. Aty i pranishëm është edhe deputeti tjetër i VV-së, Agon Batusha.
VV po kandidon edhe në zgjedhjet në Shqipëri me tre deputetë. Kryetari i kësaj partie, i cili po ashtu është kryeministër i Kosovës, ka kohë që po bën fushatë për kandidatët e VV-së në Shqipëri.
Zgjedhjet në këtë shtet mbahen më 25 prill. Shumë kritikë nga Kosova si dhe Shqipëria kanë kritikuar Kurtin për përzierje në punët e brendshme të Shqipërisë, ndërkohë tani deputetë të saj në Kosovë po mbajnë fjalime në protesta kudnër Qeverisë së Edi Ramës.
Në këtë protestë janë arrestuar disa aktivistë të VV-së nga Shqipëria.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, ka thënë se në stacionin policor në Lezhë po mbahen së paku nëntë aktivistë të cilët sipas tij u arrestuan tinëzisht.
Tutje, Azemi thotë se policia tentoi që ta arrestoi edhe kandidatin për deputet, Ilaz Shehun, por që sipas tij ata ngatërruan veturën.
“Policia tentoi ta arrestoi edhe kandidatin për deputet Iliaz Shehu por ngatërruan makinat dhe nuk ia dolën dot. Lëvizja u ftua të marrë pjesë në këtë protestë nga banorët e zonës që kishin vetëm një kërkesë elementare njerëzore, ta mbrojnë ujin e pijshëm, që duan tua marrin”, shtoi ai.
Ndryshe, Enver Dugolli u emërua edhe zv.ministër në Ministrinë e Mbrojtjes por që vetë dha dorëheqje për t’u bërë pjesë e Kuvendit si deputet.
LEXO EDHE:
Shqipëri, 33 të arrestuar në protestën kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Thirrë