Lajme

Ministri Çeku i reagon Europa Nostra-s për Manastirin e Deçanit: Referencat janë të marrura nga historiografia serbe

04/10/2021 15:51
nga:M K

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media ka njoftuar se Ministri Hajrullah Çeku i ka reaguar organizatës Europa Nostra lidhur me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Çeku në reagim ka thënë se në arsyetimin e organizatës shihet njëanshmëria dhe referencat e marrura nga historiografia serbe.

“Në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë! Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik. Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Në këtë reagim, ministri Çeku ka thënë se të gjitha monumentet e listuara nga Europa Nostra janë të rrezikuara nga faktorë të ndryshëm përjashtim bën Manastiri i Deçanit.

“Monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë vërtet në rrezik duke qenë se u kanoset edhe shembja për shkak të faktorëve të ndryshëm. Përjashtim këtu bën vetëm Manastiri i Deçanit i cili, në vetë arsyetimin e Europa Nostra, përshkruhet si një objekt funksional kulti, në gjendje të mirë, ku zhvillohen liturgjitë ditore, ku komuniteti kryen ceremonitë e tyre duke qenë i hapur edhe për pelegrinë. I vetmi shqetësim, i supozuar, lidhur me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra konstaton se është arritur marrëveshje mes të gjitha palëve, duke përfshirë klerin ortodoks. Gjuha e përdorur në tekstin e nominimit është e pasaktë, tendencioze dhe e papranueshme. Cilësimi “ekstremistët lokalë” është ekzagjerim i qëllimshëm, sulmi i pretenduar nga organizata terroriste “ISIS” është i pabazuar në fakte, andaj kjo na bën të besojmë se nominuesi nuk ka ndjekur linjë profesionale argumentimi por ka devijuar në një përmbajtje me ngarkesa politike dhe krejt të pabazuara në burime”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Me shqetësim e morëm dje lajmin se Europa Nostra ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021.

Kur kjo organizatë kishte vendosur që Manastirin e Deçanit ta nominonte në listën e monumenteve më të rrezikuara, pati reaguar Presidentja bashkë me Kryeministrin e Kosovës me një letër ku shpalosën argumente të qarta se përse ky Manastir nuk bën të futet në këtë listë, duke qenë se nuk i plotësonte as parakushtet themelore për t’u konsideruar i rrezikuar.

Është vlerësim i pavarur dhe profesional i organeve përkatëse të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara.

Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tone.

Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e ne veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë.

Monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë vërtet në rrezik duke qenë se u kanoset edhe shembja për shkak të faktorëve të ndryshëm. Përjashtim këtu bën vetëm Manastiri i Deçanit i cili, në vetë arsyetimin e Europa Nostra, përshkruhet si një objekt funksional kulti, në gjendje të mirë, ku zhvillohen liturgjitë ditore, ku komuniteti kryen ceremonitë e tyre duke qenë i hapur edhe për pelegrinë.

I vetmi shqetësim, i supozuar, lidhur me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra konstaton se është arritur marrëveshje mes të gjitha palëve, duke përfshirë klerin ortodoks.

Gjuha e përdorur në tekstin e nominimit është e pasaktë, tendencioze dhe e papranueshme. Cilësimi “ekstremistët lokalë” është ekzagjerim i qëllimshëm, sulmi i pretenduar nga organizata terroriste “ISIS” është i pabazuar në fakte, andaj kjo na bën të besojmë se nominuesi nuk ka ndjekur linjë profesionale argumentimi por ka devijuar në një përmbajtje me ngarkesa politike dhe krejt të pabazuara në burime.

Si në tekstin e nominimit ashtu edhe në shpalljen finale, ndër tjerash, paragjykohet statusi i shtetit të Kosovës, si dhe bëhet përpjekje për ndërlidhjen e çështjes së Manastirit me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto pretendime janë të pasakta dhe janë në linjë me qëndrimin politik të shtetit të Serbisë. Kosova ka status të definuar, dhe ajo ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ky deklarim unanim i vullnetit të popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010. Ndërsa ndërlidhja mes çështjes së Manastirit dhe dialogut politik është e paqëndrueshme, dhe duhet të refuzohet pasi të gjitha garancitë për trashëgiminë kulturore që rrjedhin nga Plani i Ahtisaarit janë të përfshira në Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo çështje nuk duhet të rihapet.

Në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë! Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik.

Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim.

Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm.

LEXO EDHE:

Nis ‘lufta’ për zgjedhjet lokale, LDK-ja akuzon Haskukën se i kanë mbetur rreth 20 milionë euro suficit