Më pak se tri javë kanë mbetur deri te ndeshja që mund të jetë një datë historike për sportin kosovar.
Mbrëmja e 28 prillit pritet të jetë një datë e paharruar, datë kjo në të cilën kombëtarja e Kosovës në hendboll synon kualifikim e madh në Kampionatin Evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
“Dardanët” kanë arritur rezultate historike në këto kualifikime, duke barazuar e mundur një kombëtare të madhe siç është ajo e Rumanisë.
Tashmë një fitore ndaj Mali të Zi në ndeshjen e 28 prillit, do të nënkuptone kualifikim në kompeticionin më të madh evropian të hendbollit.
Në lidhje me rezultatet kulminante dhe shpresën e mashe për kualifikim në Kampionatin Evropian, për GazetaBlic Sport ka folur hendbollisti i kësaj skuadre, Egzon Gjuka.
Gjuka ka qenë fantastik në vazhdimësi me kombëtaren e Kosovës, si dhe njihet për golat e tij shumë vendimtar që ka shënuar.
Ai tha fillimisht se është kënaqësi e madhe për të që të luaj për Kosovën dhe poashtu është përpjekur vazhdimisht që ta jap maksimumin për rezultate sa më pozitive.
“Gjithmonë është një kënaqësi dhe një nder për mua të luaj për Kosovën dhe gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin tim për të arritur rezultate sa më të mira. Ndeshjet kundër Rumanisë ishin diçka e veçantë për të gjithë ne dhe do të jenë të paharrueshme pasi kemi arritur dy rezultate shumë të mira me të cilat i kemi dhënë vetes një shans për t’u kualifikuar në Evropian 2022″ tha fillimisht Gjuka.

Më pas ai foli për ndeshjen vendimtare që do ta zhvillojnë ndaj Malit të Zi, ku tha se janë shumë të interesuar që të shkruajnë histori për sportin kosovar.
“Tani kanë mbetur më pak se 3 javë nga ndeshja më e rëndësishme që kemi pasur ndonjëherë dhe të gjithë lojtarët dhe stafi janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, ku do të japim maksimumin tonë për të shkruar historinë në sportin kosovar.
Është mungesë që nuk do të kemi praninë e tifozëve në palestër, edhe pse mbështetja e tifo-grupit “Dardanët” kurrë nuk ka qenë në ndeshjet tona për arsye që nuk i di, por gjithsesi ne gjithmonë kemi luftuar dhe jemi përpjekur t’i bëjmë të gjithë krenarë dhe këtë do ta bëjmë çdo herë për Kosovën tonë” përfundoi Gjuka
/GazetaBlic/


