Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka mohuar se nga Lëvizja Vetëvendosje, i është kërkuar qëndrimi në seancën për presidentin, për të votuar pro zgjedhjes së Vjosa Osmanit.
”Absolutisht jo”.
”Ky vendim ka qenë i imi, i pavarur dhe krejtësisht profesional”, është shprehur Reshitaj, njofton Klan Kosova.
Sipas saj, kishte javë para se të mbahej seanca, ku në mbledhje të kryesisë së AAK-së, kishin diskutuar për këtë çështje dhe ajo kishte dhënë mendimin e saj për të qenë pjesë e seancës.
”Ka javë që në mbledhje të kryesisë, kam dhënë mendimin tim që pse ne si AAK duhet të jemi në seancë gjatë zgjedhjes së Presidentit të Kosovës”.
”Kanë qenë dy arsye kryesore që më kanë shty të jem pjesë e këtij procesi”.
”Ne jemi në një situatë me pandeminë, sidomos unë që përcjellë nga afër çdo ndryshim që ndodhë me këtë gjendje. Dhe më është dukur më e pakta që mund t’i bëjmë vendit tonë të shkojmë në zgjedhje në këtë situatë pandemie”.
”Dhe e dyta është se Lista Serbe bëhej qartë faktorizim i ndërtimit të institucioneve të Kosovës. E kam ndjerë nga brenda që mund të ndikojë ta kem një mundësi që edhe më tutje Lista Serbe e shantazhuar nga Beogradi të ketë ndikim, impakt në ndërtimin e institucioneve të tjera”.
”Përveç që kam respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Ndërsa kreu në detyrë i AAK-së Ramush Haradinaj u shpreh në Rubikon me Adriatik Kelmendi se Albena Reshitaj gaboi me pjesëmarrjen e saj në seancën për presidentin, duke zbehur rolin e AAK-së, deputetja në fjalë mohon të ketë dëmtuar subjektin që përfaqëson.
”Nuk mendoj që prezenca ime në sallë ka dëmtuar AAK-në. Vet ideja që unë marrë qindra mesazhe, e dëshmojnë të kundërtën”.
”Është e vërtetë që ne kemi pasur kandidatin tonë, dhe ne kemi kërkuar besim qytetar për kandidaturën për president nga partia jonë, por tek e fundit përtej interesit partiak, ka qenë stabiliteti institucional në të cilën gjendet Kosova edhe me pandeminë por edhe me çështje të tjera”.
Mes tjerash Reshitaj gjithashtu në Klan Kosova hodhi poshtë deklaratat se vota e saj ishte e ndikuar nga pazaret për përfitime personale.
”Mua më vjen keq për këto pretendime”.
”Absolutisht jo”.
”Nuk jam pjesë, apo më mirë të them, në natyrën time nuk ka gjëra të tilla, nuk funksionoj me idenë e gjykimeve të tilla, nuk merrem me këto çështje”.