Lajme

Jashari: Ndryshimi i grupit parlamentar, keqpërdorim ekstrem i vullnetit të votuesve

04/07/2021 18:37
nga:M K

Njohësi i zhvillimeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Shemsi Jashari, ka komentuar lëvizjet e fundit të deputetëve, gjegjësisht ndryshimet në grupet parlamentare.

Në një prononcim për “GazetaBlic“, Jashari ka thënë se ajo çfarë kanë bërë katër deputetë, prej tyre dy nga minoritetet dhe dy nga partitë shqiptare, është keqpërdorim ekstrem i vullnetit të votuesve, përcjell GazetaBlic.

“Rastet e ndërrimit të grupeve parlamentare nga deputetët e zgjedhur nuk është diçka e re, ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur për interesa personale deputetët e caktuar kanë lëvizur nga një subjekt në tjetrin.

Ajo që ka ndodhur tani në zgjedhjet e fundit ku 4 deputetë dy nga minoritetet dhe dy nga partitë shqipëtare (1 AAK- 1 PDK) është shpërfaqje e një papërgjegjësie dhe keqpërdorimi ekstrem të vullnetit të votuesve që kanë votuar për një kandidat dhe një subjekt të caktuar.

Do të ishte korrekte sikur këta deputetë, të ishin bërë deputetë duke garuar si të pavarur por asesi të keqpërdorin vullnetin politik të votuesve të vet për pazare politike personale”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, për ta zgjidhur këtë çështje, sipas Jasharit, partitë duhet të mblidhen bashkë dhe të marrin disa vendime që do të ishin në favor të të gjithëve.

“Unë mendoj se për të parandaluar këtë dukuri partitë politike duhet të bëjnë disa hapa, siç janë:

Reforma të thella strukturore që do të identifikonin personalitete që besojnë në program dhe ideologji politike të subjektit të caktuar e që nuk shesin votën për para e pozita.

Të shikohet mundësia që në reformën zgjedhore të adresohet kjo çështje, që siguron se mandati i fituar me një subjekt mbetet brenda partisë edhe nëse kandidatët lëvizin nga partia.

Liderët e subjekteve politike të mos fusin si kandidatë në lista për deputetë persona që nuk janë të dëshmuar si aktivist dhe ideoligjikisht të qartë.

Të mos fusin në lista kandidat për deputetë vetëm se kanë para dhe hyjnë për qëllime krejt personale apo biznesore.

Në një vend me pjekuri politike dhe qytetare, angazhimi politik do të duhej të bëhej për shkak të bindjes ideologjike dhe programore, për shkak të vlerave që një subjekt përfaqëson e jo për shkak të beneficioneve që sjell pozita e deputetit.

Përndryshe ishte e shëmtuar sjellja e deputetëve që u shitën dhe u blenë në minutat e fundit. Ishte keqpërdorim i vullnetit të votuesit dhe mandati do të duhej t’i kthehej subjektit nga ku kanë ikur këta deputetë”, tha Jashari për GazetaBlic.

LEXO EDHE:

Murati premton mbështetje për mbulimin e qirave dhe pagat e punëtorëve

/GazetaBlic/