Mbrëmë Vjosa Osmani u zgjedh presidente e Republikës së Kosovës me 71 vota pro.
Në një status në Facebook, Osmani u shpreh se mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, përcjell Gazeta Blic.
Osmani tutje u shpreh se është e vetëdijshme për pritshmërit që kanë ndaj saj, dhe poashtu misioni është shumë më shumë se sa angazhim politik.
Postimi i plotë:
Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, duke respektuar në plotëni vullnetin e qytetarëve.
Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht.
Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik. Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë.
Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik. Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.
Kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe:
“Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!
Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara!