Lajme

95 përqind e pacientëve në Intensivë janë të pavaksinuar

09/02/2021 23:51
nga:Gazeta Blic

Gjendje e rënduar vazhdon të jetë në Mjekimin Intensiv Qendror ku gjatë ditës është raportuar se edhe kapacitetet po shfrytëzohen në maksimum.

Gëzim Kunoviku, shef i ndërrimit në Mjekimin Intensiv në QKUK, në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë që po punojnë me kapacitetet maksimale.

“Edhe nga aspekti i personelit, jemi në një numër të limituar dhe është një punë mjaft intensive që është duke u bërë. Kapaciteti jonë është 26 shtretër ndërsa për momentin janë 22 pacientë, që do të thotë janë vetëm katër vende të lira”.

“Kjo gjendje mund të ndryshojë për shkak të transfereve, por kapaciteti është ky. Poashtu e kemi të njëjtën gjendje nga mjekim intensiv i Infektivës, pasi është kapaciteti i vogël”.
Tutje Kunoviku ka thënë që 95 përqind e të shtrirëve janë të pavaksinuar, ndërsa ata që janë të vaksinuar sipas tij, kanë edhe sëmundje shoqëruese.