Barcelona është në prag të fitimit të titullit të La Ligës këtë sezon, por kjo nuk do të thotë se ata nuk po planifikojnë një ndryshim të madh në skuadër këtë verë. Provë për këtë është lista e publikuar me nëntë futbollistë që janë shpallur në shitje, raportojnë mediat spanjolle.
Arsyet për këtë vendim janë një kombinim i presionit financiar, nevojës për të rinovuar skuadrën dhe përshtatjes me vizionin e trajnerit të ri Hansi Flick, i cili pritet të rinovojë zyrtarisht kontratën e tij deri në vitin 2027 në ditët në vijim.
Sipas mediave, i vetmi lojtar “i paprekshëm” në ekip është Lamine Yamal, i cili konsiderohet si e ardhmja e klubit. Të gjithë lojtarët e tjerë janë të disponueshëm për oferta, dhe lista e lojtarëve potencialë që largohen përfshin Inaki Pena, Ronald Araujo, Hector Fort, Fermin Lopez, Gavi, Frenkie de Jong (nëse nuk nënshkruan një kontratë të re), Pablo Torre, Pau Victor dhe Ansu Fati.
De Jong është një nga lojtarët më të rëndësishëm, largimi i të cilit mund të përmirësojë ndjeshëm gjendjen financiare të klubit. Nëse ai nuk e pranon ofertën për të zgjatur kontratën, Barcelona është gati ta shesë atë këtë verë për rreth 60 milionë euro. Lojtari ndërkombëtar holandez ka një nga pagat më të larta në klub.
Situata është e ngjashme me mbrojtësin Ronald Araujo, i cili kërkohet nga disa gjigantë evropianë. Megjithatë, katalanasit nuk do ta shesin uruguaianin për më pak se 80 milionë euro. Ndërsa Ansu Fati, dikur talenti i madh, nuk ka arritur ta afirmojë veten pas një sërë lëndimesh dhe nuk është pjesë e planeve të Flick.
Përveç tyre, Barcelona është gati të shesë ose të japë huazim disa lojtarë të rinj: Pena, i cili ishte portieri i dytë këtë sezon, Fort dhe Torre, të cilët vijnë nga akademia e të rinjve, si dhe sulmuesi Pau Victor.
Situata me Gavi dhe Fermin Lopez është pak më e komplikuar, ata mund të largohen vetëm nëse arrin një ofertë jashtëzakonisht e lartë.
E gjithë kjo strategji udhëhiqet nga drejtori sportiv Deco, i cili dëshiron të krijojë një klub të qëndrueshëm financiarisht, duke i lejuar gjithashtu Hansi Flick të sjellë lojtarë që i përshtaten më mirë stilit të tij të lojës.
/GazetaBlic Sport/


