Me gjithë premtimet për lehtësim financiar për prindërit, shumë familje po përballen me vështirësi në sigurimin e librave dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre.
Një nënë, në një prononcim për Klankosova.tv, shpreh zhgënjimin për mbështetjen e pamjaftueshme.
M.A, në kushte anonimiteti, tha se librat e dy fëmijëve të saj që vijojnë mësimet në shkollë të mesme duhet t’i blejë vetë. Ajo thotë se 80 euro nuk i mjaftojnë për blerjen e tyre.
“Vetëm për një fëmijë m’i kanë dhënë 80 euro, e për këtë në gjimnaz duhet na vetë me i ble. Ku janë tani dhe fletoret… Vetëm mujorja [e autobusit] më kushton 36 euro, me 120 euro social. Me apliku kam apliku, nuk e di a më është pranu apo jo”, u shpreh kjo nënë e shqetësuar.
E njohësi i arsimit Xhavit Rexhaj tha se nuk ka parë ndonjë dokument, program apo politikë të definuar për shpërndarjen e tanishme të teksteve shkollore, duke shtuar se kjo praktikë mbase mund të rregullohet me ligjin e ri.
Ai shton se procesit të shpërndarjes së librave për problematik, duke përmendur këtu edhe zbatimin e aplikimit online, si dhe shumën e pamjaftueshme për blerjen e teksteve shkollore.
Ndërkaq, këtu përmend edhe faktin se shumë prindër mund ta shfrytëzojnë situatën, t’i kursejnë paratë e siguruara nga shteti dhe fëmijëve t’u japin libra të përdorura.
“Në anën tjetër, e shoh shumë problematike komplikimin e procesit të shpërndarjes së librave përmes (a) futjes në zbatim të aplikimit elektronik të prindërve, (b) kryerjes së mijëra transfereve financiare me mundësi të shumta gabimi, (c) ngarkesës së prindërve për të kërkuar dhe blerë librat nëpër disa librari. Çdo hallkë që shtohet në zinxhirin e shpërndarjes nënkupton edhe rritje të çmimit ose të resurseve / angazhimit për sigurimin e librave. Për shembull, libraritë duhet të angazhojnë personel dhe hapësirë për kryerjen e detyrës së vetë dhe kjo gjithsesi ka një kosto dhe çmim të caktuar”, tha Rexhaj për Klankosova.tv.
Sipas tij, tekstet shkollore nuk janë çështje e tregut të lirë, andaj çmimi i tyre duhet të rregullohet.
“Një problem tjetër, po duket të jetë rritja e kostos për furnizim të librave, sepse (sa e di unë) nuk ka një limit të epërm të caktuar për çmimin e teksteve shkollore. Domethënë, nëse nuk gabohem, unë këtë e shoh si liberalizim të çmimeve të teksteve shkollore”.
Sa i përket subvencionimit të teksteve në lehtësimin e barrës financiare për prindërit dhe me ndryshimin e ndjerë në praktikë, Rexhaj tha se nuk mendon se ka sjellë lehtësim.
“Nuk mendoj se ka sjellë ndonjë lehtësim në barrën financiare, sepse tekstet shkollore për arsimin themelor (1-9) edhe më herët janë siguruar nga shteti. Sa i përket ndihmës për blerjen e materialeve shkollore, mendoj se ajo është dashur të jepet vetëm për familjet në asistencë sociale. Alternativisht, shuma prej disa miliona euro do të mund t’u shpërndahej shkollave për blerjen e materialeve shkollore për nxënësit e vetë”, u përgjigj Rexhaj.
Mossubvencionimi i teksteve për nxënësit e shkollave të mesme?
Lidhur me atë se cilat janë arsyet që e kanë lënë arsimin e mesëm jashtë subvencionimit për tekstet shkollore, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se shteti nuk e ka obligim ligjor që të sigurojë ato për arsimin e mesëm të lartë.
“Kjo është e qartë: Kushtetuta e Kosovës dhe Ligjet në fuqi obligojnë shtetin për organizimin e arsimit të detyruar vetëm për arsimin themelor, domethënë klasat 1-9 dhe nga viti i kaluar edhe nga klasa parafillore, pas miratimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që e bën këtë klasë pjesë të arsimit të obliguar. Gjithsesi është e dëshirueshme por jo edhe obligim ligjor i shtetit për sigurim të teksteve për arsimin e mesëm të lartë”, tha ai.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjatë muajit korrik të vitit 2025 publikoi një hulumtim mbi skemën e re të subvencionimit të librave shkollorë. Hulumtimi që ishte realizuar në terren nga UBO Consulting, tregoi që prindërit ishin të pakënaqur me skemën e re. Po ashtu, u konstatua vonesë në pajisje me libra në fillim të vitit, e gjithashtu, prindërit treguan se paratë që ua ndau ministria për blerje të librave nuk u mjaftuan. Për realizimin e hulumtimit u intervistuan 400 prindër nga shtatë rajone të Kosovës.
Nëpër rrjete sociale ka pasur edhe ankesa tjera nga prindër. Ata thonë se platforma e-Kosova nuk po lejon aplikimin për fëmijët që janë nën moshën 6-vjeçare.
Prindi i një vajze, e cila është regjistruar në shkollë ndonëse ende nuk i ka mbushur 6-vjeç, është ankuar se platforma nuk po ia mundëson aplikimin për subvencionim.
Ajo thotë se mesazhi që ka marrë nga e-Kosova është ky: “Mosha e fëmijës duhet të mes 6 dhe 11 vjet. Sipas të dhënave të pranuara nga zyra e Gjendjes Civile, mosha e fëmijës për të cilin jeni duke aplikuar nuk e plotëson këtë kusht”.
Ndërsa, ajo ka bërë të ditur se vajza e saj i mbush 6 vjet më 30 shtator, një muaj pasi mësimi pritet të fillojë, duke i shkaktuar kështu telashe për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.
Aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore mund ta bëni në Platformën E-Kosova deri në fund të muajit shtator.



