Prej 10 vitesh, 68-vjeçari Islam Bela ka mundësi të zgjedhë për përfaqësuesit e tij në dy shtete, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Ai asnjëherë nuk e lë t’i ikë mundësia për të votuar.
“Unë fillimisht kam vendosur që të votoj këtu në Maqedoni. Por, votoj edhe për Kosovë. Sepse në Kosovë e kam vendlindjen, kam miqësi, motra, të gjithë i kam atje. Prandaj unë votoj atje sepse dua ta shoh Kosovën duke përparuar. Votoj tashmë dhjetë vite. Vendbanim e kam të shkruar Nërduraj”, u shpreh Islam Bela.
Ai ka dy shtetësi, dhe jetën e kalon mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse në moshë të thyer, asgjë nuk e ka ndaluar për të votuar në të dy vendet sa herë që ka pasur zgjedhje.
Por, këtë here, do ti duhet të zgjedhë se ku do ta ushtrojë të drejtën e tij për të votuar. Në Kosovë thotë se ka të pa mundur të shkojë, për shkak të kufizimeve që janë vendosur në kufi për vaksinë apo test PCR.
“Sivjet nuk mundem të votoj për shkak të pandemisë. Vetëm po të vinim të më merrnin me makinë se nuk mundem ndryshe. E kam vendlindje dhe ma do zemra të shkoj të votoj, më shumë votoj për Kosovën se për Maqedoninë, por edhe në Maqedoni ha bukë, sikurse në Kosovë. Kam pasur dëshirë që të përparojë. Një votë, një. Kam dashtë që të përparojë shteti. Me gjithë dëshirë do të kisha shkuar të votoj përsëri”, tregoi më tej 68-vjeçari.
Si Islam Bela ka edhe shumë qytetarë në Maqedoninë e Veriut të cilët kanë shtetësi të dyfishtë dhe vendosin për udhëheqësit e popullit të të dyja shteteve.
Por, këtë të dielë, më 17 tetor, do të jenë para dilemës se në cilin shtet të votojnë nëse nuk kanë mundësi ta japin votën në të dy vendet.