Brenda vetëm 12 muajve, mbi 600 mësimdhënës kanë lënë sistemin arsimor të Kosovës, duke zgjedhur të emigrojnë jashtë vendit për kushte më të mira jetese dhe pune.
Ky eksod ka ngjallur shqetësime serioze në mesin e sindikatave. Rrahman Jasharaj, Kryetar i Sindikatës së Arsimit në Kosovë, për GazetaBlic tha se, sa i përket kësaj gjendjeje, fajtore është qeveria.
“Ne kur kemi alarmuar para një viti e sa, kur ishte shifër më e vogël, kemi pritur që të reagojnë MASHTI bashkë me DKA, kemi pritur që të na japin një shifër tjetër që ta kundërshtojë lajmërimin tonë, mirëpo heshtja e tyre flet që këto gjëra po ndodhin, këto fatkeqësi në shkollat tona po ndodhin. Ky numër në dukje nuk është i madh tani, por nëse vazhdon ky trend, atëherë kemi rrezik që të mbesim pa kuadro të mira në shkolla, sepse zakonisht kuadrot e mira e lëshojnë…Të vetmit fajtorë janë qeveria, sidomos kjo qeveria Kurti, e cila jo që nuk realizoi, por as nuk u ul që të bisedojmë me sindikatën tonë dhe sindikata të tjera se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. E një rrugëtim të tillë të keq e vazhdoi edhe zonja Nagavci, e cila për dy vite me radhë nuk ka pranuar asnjë takim me ne, por çdo vendim e ka sjellë kokë më vete”, tha ai për GazetaBlic.
Tutje, Jasharaj thotë se në Kosovë shumë shkolla rrezikojnë të mbyllen.
“Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë as për shkollën, as për prindërit, prandaj fatkeqësia është që po na ikin edhe prindërit, edhe familjet e tjera, e pastaj po na bie në mënyrë drastike edhe numri i nxënësve dhe jemi në rrezik që të kemi edhe mbyllje të shkollave në të ardhmen”, u shpreh ai.
Veç kësaj, ai thotë se metoda e rimbursimit të parave për libra është e gabuar dhe se do të duhej të veprohej njëjtë sikurse qeveritë e mëparshme.
“Zonja Nagavci ka bërë gabimin më të madh të mundshëm lidhur me metodën e re të shpërndarjes së teksteve. Ndoshta do e kishim falur herën e parë, se do të ketë menduar se është më mirë, por duke i parë gjithë ato ankesat dhe kundërshtitë e SBASHK-ut – kur të gjitha me argumente – e vazhdoi edhe vitin e kaluar, pra vitin e dytë shkollor. Prapë u përsërit i njëjti skenar: rreshtat e gjatë në librari. Madje ka qytete që nuk kanë librari, dhe prindërit tanë nuk e kanë luksin që të mungojnë nga puna 3 ditë për t’i siguruar mjetet shkollore. Mënyrë e shkëlqyer ka qenë dikur nga qeveritë e tjera, të cilat lidhnin marrëveshje me botuesin dhe botuesit, para fillimit të vitit shkollor, i dërgonin në shkolla të gjitha librat shkollorë të reja”, tha ai për GazetaBlic.


