Lajme

6 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim me grante

09/15/2022 16:07
nga:G B

Gjykata Themelore nё Prishtinё, dega nё Lipjan tё enjten e ka shpallur fajtor, të akuzuarin për mashtrim, G.G, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht me mbikëqyrje nga shërbimi sprovues dhe 400 euro dënim më gjobë.

Aktgjykimi ndaj tё akuzuarit G. u shpall në prani të tij dhe avokatit mbrojtës  të tij Jusuf Gashi nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, raporton “Betimi pёr Drejtёsi”.

Sipas aktgjykimit, dënimi me kusht nё kohëzgjatje prej gjashtë muajve ndaj tё akuzuarit Gashi nuk do tё ekzekutohet nëse i njëjti në afat prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale, nё tё kundërtën, dënimi me kusht do tё revokohet.

Në këtë rast, detyrohet i akuzuari që të mbaj kontakt me shërbimin sprovues në afat prej gjashtë muajve pasi që gjykata sipas aktgjykimit, konsideron se integriteti i tij në shoqëri do të arrihet më mirë përmes mbikëqyrjes nga ana e të njëjteve.

Ndërsa, nëse i akuzuari G. nuk mban kontakt me të lartcekurit dënimi me kusht do t’i revokohet.

Kurse, dënimin me gjobë në shumë prej 400 euro, detyrohet i akuzuari që ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në rast të mospagesës së dënimit me gjobë konform nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së, do t’i zëvëndësohet me dënim me burgim, ku për një ditë të burgu do ti llogaritet shuma prej 20 euro.

Tutje, i dëmtuari B.S. sipas aktgjykimit u udhëzua qё kёrkesёn pasurore juridike ta realizoj nё procedurë tё rregullt civile.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2021, thuhet se, më 15 janar 2020, në interval të pacaktuar kohor, në rrugën “Tahir Sinani” përkatësisht në kafiterinë “Amo Sweet” në Lipian, i pandehuri G.G, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vetën dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve në mënyrë mashtruese, se kinse do të përfitojë një grant nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar minoritetet, e mashtron duke e vënë në lajthim të dëmtuarin B.S. me arsyetimin se, kushti për të përfituar grantin, ishte se i dëmtuari duhet t’i punësojë dy pjesëtar të minoriteteve në barnatoren e tij bujqësore në Gjilan për tre muaj.

Siç thuhet në aktakuzë, nga i dëmtuari ka marrë certifikatën e biznesit të tij, vend lokacionin e veprimtarisë, letërnjoftimin kopje, xhirollogarinë̈ bankare si dhe shumën e parave prej 210 euro.

Në aktakuzë thuhet se, në fakt asnjëherë̈ nuk ka përfituar ndonjë grant, me ç’rast e ka nxitur të dëmtuarin të ndërmarrë veprime, të cilat kanë rezultuar në dëm material të pasurisë së tij.

Me këtë i pandehuri G.G, ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së.