Shoferi i Komunës së Malishevës, Arsim Hoti, është dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë, pasi një ditë më parë e ka pranuar fajësinë se në zgjedhjet e fundit lokale, ia kishte dhënë 20 euro ryshfet Imer Hotit, në këmbim të votës për Nismën Socialdemokrate.
Kurse, i akuzuari Imer Hoti është dënuar 3 mijë euro gjobë pasi e ka pranuar fajësinë se i kishte marrë këto të holla në këmbim të kësaj vote.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, fillimisht dy të akuzuarit janë dënuar me nga 6 muaj burgim, por që me pëlqimin e mbrojtësve të tyre, avokatëve Muhamet Shalaj dhe Korab Bokshi, dënimi u është zëvendësuar me gjobë.
Gjobat lartcekura të akuzuarit janë të obliguar t’i paguajnë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykata ka konfiskuar edhe të hollat në vlerë prej 17.70 euro si objekt i kryerjes së kësaj vepre penale.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari Arsim Hoti, më 17 tetor 2021, në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë, gjatë procesit të votimit i ka ofruar përfitim apo dhuratë të pamerituar të akuzuarit tjetër Imer Hoti, me qëllim që të ndikojë për votuar në favor të partisë Nisma Socialdemokrate.
Tutje sipas aktakuzës, fillimisht dy të akuzuarit ishin vërejtur nga ana e dëshmitarit Agon Hoti, i cili ditën e zgjedhjeve kishte shkuar në këtë qendër votimi t’iu dërgojë ushqim vëzhguesve dhe komisionerëve dhe derisa ishte duke qëndruar në korridor për një moment në një pjesë të saj kishte vërejtur të akuzuarin Imer, i cili përmes telefonit i tregonte fotografinë e votës se për kë kishte votuar, ndërsa i akuzuari Arsim kishte nxjerrë nga xhepi shumën prej 20 euro dhe ia jep në këmbim të kësaj vote, e cila është vërtetuar edhe nga video-incizimi i kamerave të shkollës.
Për këtë, i akuzuari Arsim Hoti ngarkohej me veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.
Edhe i akuzuari Imer Hoti ngarkohej me veprën e njëjtë penale sipas paragrafit dy, pasi që i njëjti sipas prokurorisë, në ditën kritike pasi kishte votuar e kishte fotografuar votën dhe pasi që del në korridor të shkollës e takon të akuzuarin Arsim dhe përmes telefonit ia tregon fotografinë dhe më pas nga i njëjti pranon ryshfet në shumën prej 20 euro. betimiperdrejtesi
Zëvendësministri Sallahu tregon se kur do të duhet që mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë


