Opinion

6 çështje e asnjë veprim për gratë nga kryeministri

03/08/2022 11:07
nga:Sibel Halimi

Shkruan: Sibel Halimi

Në vend se në Parlamentin e Republikës së Kosovës të dëgjonim kryeministrin duke folur për 6 veprime konkrete për përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave në vend, ai zgjodhi për të përshkruar një sërë faktorësh pse pabarazia në mes burrave dhe grave është aq e thellë.

Madje, duke u frymëzuar nga Bell Hooks, sa lehtësisht u drejtohet grave se si ato duhet t`i ndihmojnë njëra – tjetrës, thuajse lë të nënkuptohet që gratë janë fajtore për pozitën në të cilën gjenden.

Një qasje e tillë e të parit të vendit shpërfaq qartazi paragjykimin i cili buron nga patriarkati që gratë nuk mund të kenë sukses, ngaqë e luftojnë njëra – tjetrën, e për ta thelluar më tej këtë normë shoqërore ai bën thirrje për t`i ndihmuar këtij solidariteti, duke thënë: këtu duhet të investojmë të gjithë.

Marrëzi për një kryeministër të ndërtoi një narrativ të tillë karshi gruas, e aq më dëshpëruese në Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Mars.

Nga solidariteti, kryeministri ynë merret me trajtimin e emancipimit të burrave, e duke anashkaluar tërësisht përdorimin e fjalëve esenciale, si: atë të sundimin të ligjit, si instrument bazë apo projekteve qeverisëse që do ta ndihmonin këtë emancipim.

Kryeministri, gjendjen e gruas e ilustron duke u marrë me traumat e pa trajtuara, përfshirë edhe ato të luftës. Një analogji e tillë na shpie drejt arsyetimit të dhunës ndaj gruas, sepse të thuash pasojat e luftës, si kundërpërgjigje gjithmonë do të merret heshtja.

E në fund kryeministri flet për vetëdijesimin, por për afro një vit qeverisje, ne dëgjojmë fjalë shumë e pak veprime për gratë.