Lajme

55-vjeçarja dhunohet barbarisht nga bashkëshorti, i thyen këmbën dhe nuk e lejon të mjekohet!

06/22/2023 14:03
nga:Y I

Një 55-vjeçare nga Korça ka shkuar në spital me frakturë në këmbë ndërsa akuzon bashkëshortin se e ka dhunuar disa ditë më parë dhe më pas e ka privuar nga marrja e shërbimit mjekësor.

Sipas 55-vjeçares Diana Mulla, ngjarja ka ndodhur 6 ditë më parë në banesë, ku bashkëshorti i Dianës, Fatos Mulla, e ka shtyrë në shkallët e shtëpisë private, duke i shkaktuar thyerje të këmbës së djathtë.

Mësohet se ai e ka mbajtur në banesë deri ditën e djeshme, e më pas e ka çuar në spital, aty ku e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se bashkëshorti e ka shtyrë.

55-vjeçarja ka probleme shëndetësore, ku ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid.

Denoncimi u bë sot prej saj në uniformat blu, ndërsa bashkëshorti Fatos Mulla u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij.

Shkak për shtyrjen është një motiv banal, grindje për një gotë vaji siç thuhet nga ana e të dhunuarës.

Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali.