Lajme

55 gra të vrara për 13 vjet/ Avokati e quan alarmuese: Ka dështuar politika ndëshkimore – vrasja e Liridonës krimi më i llahtarshëm i dekadës

12/04/2023 18:32
nga:G B

Avokati Ardian Bajraktari, e ka quajtur krimin më të llahtarshëm të dekadës së fundit, krimin e ndodhur se fundi në Kosovë, ku Liridona Ademaj u vra nga një person që dyshohet se është porositur nga bashkëshorti i saj.

“Vrasja e të ndjerës Liridona, përveç se ishte (ashtu siç tashmë besoj se u ri kualifikua) si vrasje e rëndë, për nga mënyra e kryerjes, përgatitja, sjellja me aq gjakftohtësi, si para, e veçmas pas krimit e bashkëshortit të të ndjerës, në mënyrën siç dyshohet se është i përfshirë, përshirë edhe faktin se aty ishin fëmijët, e bën në bindjen time njërin nga krimet më të llahtarshme të dekadës së fundit, mbase dhe jo vetëm”, thotë ai për Gazeta Blic.

Në Kosovë, në 13 vitet e fundit janë vrarë 55 gra, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë, avokati thotë se ky është shqetësim i madh.

“Humbja e jetëve të një numri kaq të madh të grave për një periudhë diç më shumë se sa një dekadë, përkatësisht 55 gra të vrara për periudhë prej 13 vitesh, do të duhet të merrej me shqetësim”, shprehet Bajraktari.

Sipas tij, duhet rishikuar urgjent politikat ndëshkimore, teksa shtohen se ligjet parashohin dënime mjaft të ashpra.

“Kjo dëshmon se duhet të rishikohet urgjent politika ndëshkimore. Ligjet parashohin dënime mjaft të ashpra, edhe ashtu janë ndryshuar së fundmi kodet si ai penal po ashtu edhe kodi i procedurës penale, ku me ndryshimin e kodit penal përveçse janë paraparë masa të reja ndëshkuese për kryerësit e dhunimit e edhe të dhunës në familje, janë përfshirë edhe vepra të reja penale, kurse përmes ndryshimit të kodit të procedurës penale, janë përcaktuar afate stërkite, me qellim të hetimit por edhe gjykimit të kryerësve të këtyre veprave në periudhë më të shpejtë, më shpresë që ndikohet në trajtimin me efikasitet të këtyre veprave”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Bajraktari e quan alarmues këtë numër, derisa potencon se ka dështuar politika ndëshkimore, pasi ka kryerës të veprave që i përsërisin ato.

“Pra, është alarmuese ky numër, ligje kemi që parashohin dënime mjaft të ashpra, por duhet rishikuar politika ndëshkimore, shto faktin këtu, kur kemi një numër të konsiderueshëm të kryerësve që janë përsëritës apo recidivist të veprave, kjo dëshmon se jo vetëm që ka dështuar politika ndëshkimore, por edhe trajtimi adekuat i tyre, pra nuk është arritur efekti apo qëllimi i dënimit, risocializimi, si dhe preventiven apo parandalimin”, deklaron avokati Ardian Bajraktari./Gazeta Blic/