Lajme

51 persona janë vrarë nga sulmi me raketa në Ukrainën qendrore

09/03/2024 22:46
nga:Y I

Së paku 51 njerëz janë vrarë dhe 219 të tjerë janë plagosur më 3 shtator në njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse të Rusisë prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thanë se dy raketa goditën objektin e Institutit e Komunikimeve në Poltava, në Ukrainën Qendrore, në sulmin e mëngjesit.

Ata thanë se dy sulme raketore u kryen pak pas lëshimit të alarmit për sulme ajrore, prandaj njerëzit që ishin brenda institutit nuk kishin kohë që të evakuoheshin në një strehimore për bomba.

“Një nga ndërtesat e Institutit të Komunikimeve u shkatërrua pjesërisht. Njerëzit u gjendën nën rrënoja. Shumë u shpëtuan,” tha Zelensky.

Guvernatori rajonal i Poltavës, Filip Pronin, tha në televizionin ukrainas se rreth 15 njerëz mund të jenë nën rrënoja, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po e vazhdojnë punën në vendin e ngjarjes.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se ka nisur një hetim dhe tregoi se numri i të vdekurve ka arritur në 51.