Lajme

“5000 euro ose xhipin, ndryshe t’i publikoj mesazhet me nxënësen tënde” – Arrest shtëpiak për ferizajasin i cili shantazhoi një person

11/16/2021 16:47
nga:M K

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit N.K.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Shantazhi në tentativë nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 13.11.2021 në Ferizaj, më qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes kanosjes se do ta dëmtojë nderin apo autoritetin e të dëmtuarit, ka detyruar të dëmtuarin F.Sh. të kryejë një veprim në rrjetin social Whats App, duke e shantazhuar se do t’i bëjë publike mesazhet e tij me nxënësen e tij, në atë mënyrë që i’a kishte kërkuar të dëmtuarit shumën e parave prej 5,000€ ose veturën Xhip.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.