Sporti

50 tifozë të Milanit udhëtojnë për ndeshjen e Champions League ndaj Liverpoolit, Arbër Lepaja: Kërkesat për bileta janë trefishuar pas liberalizimit të vizave

09/16/2024 19:28
nga:E K

Milan – Liverpool, një nga klasiket e futbollit evropian do të zhvillohet të martën në San Siro me fillim nga ora 21:00.

Dy nga skuadrat më të suksesshme në histori të Ligës së Kampionëve përballen mes vete  duke kërkuar fitoren në formatin e ri të kësaj gare.

Tifozët e Milanit nga Kosova janë organizuar për të udhëtuar drejt Italisë për t’i ndjekur nga afër emocionet e këtij ballafaqimi.

Tifozi i Milanit, Arbër Lepaja për GazetaBlic Sport ka treguar emocionet e tij para këtij dueli duke shtuar se rreth 50 tifozë shqiptarë nga Kosova do jenë të pranishëm në San Siro.

“Këtë herë jemi organizuar rreth 50 vetë që do jemi atje në Itali. Do jem prezent edhe unë atje bashkë me milanistat, besoj që gjithçka do të shkoj në rregull. Kemi planifikuar të vizitojmë përveç stadiumit edhe muzeun e San Siros.

Nuk kemi bërë organizim të plotë këtë radhë ndaj Liverpoolit. I kemi siguruar biletat për fansat, jemi marrë vesh që atje me u taku dhe me shku të gjithë bashkë.

Edhe ulëset i kemi në të njëjtin sektor, por nuk kemi organizuar transportin dhe akomodimin, e kemi lënë në dorë të secilit mënyrën e transportit dhe pjesën e hotelit”, tha fillimisht ai.

Lepaja shtoi se interesimi i tifozëve nga Kosova për të vizituar San Siron është shtuar ndër vite sidomos pas liberalizimit të vizave duke thënë se numri i të interesuarve është trefishuar.

“Personalisht unë shkoj çdo vit në stadium për me pa Milanin, një ose dy ndeshje. Këtë vit janë trefishuar kërkesat nga fansat për të qenë në stadium”, përfundoi Lepaja.

/GazetaBlic Sport