Sporti

5 vite në Sllovaki, Kristi Qose: Jam i bindur se Kosova mund ta fitojë këtë përballje

03/24/2026 20:22
nga:Mergim Rreci

Ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Kristi Qose, ka komentuar përballjen mes Kosovës dhe Sllovakisë, duke ndarë mendimet e tij mbi këtë sfidë.

Qose ka luajtur për 5 vite në Sllovaki tek disa skuadra, ku e njeh mirë futbollin dhe vendin në përgjithësi.

“Është një ndeshje e barabartë, edhe pse luajnë jashtë, por me cilësinë që ka Kosova besoj se do ja dalë”, tha fillimisht Qose për ‘GazetaBlic Sport’.

“Kam luajtur 5 vite, është një shtet i pastër dhe i organizuar. Tifozët nuk besoj se janë shumë kundër nesh, janë normalë, mbështesin vendin e tyre pa fanatizëm. Nga ato që kam parë, nuk kanë më shumë kualitet se Kosova; cilësia që kanë është fizike, janë të fortë, vrapojnë shumë dhe luajnë bashkë si ekip, jo që kanë individë të ‘çmendur”, shtoi tutje Qose.

Në fund, ai tha se Kosova ka gjasa të mira për të fituar, por e përmendi edhe shkakun e motit, i cili tha se mund të ndikojë pak tek lojtarët tanë, duke marrë parasysh që në këtë kohë atje është më ftoht].

“Avantazhi i Kosovës do të jetë nëse kualitetin që ka e nxjerr në fushë, atëherë jam i bindur se do ja dalin. Si faktor negativ më shumë do të jetë koha, sepse në këtë periudhë bën shumë ftohtë në Sllovaki dhe besoj se shumica e lojtarëve luajnë në shtete me klimë më të mirë“, përfundoi Qose.

/GazetaBlic Sport/