Me 5 mijë e 100 euro gjobë është dënuar Mefail Vogliqi, i akuzuar për veprën penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, fillimisht i akuzuari Vogliqi është dënuar me 6 muaj burgim dhe 1,500 euro, por me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 3,600 euro.
Po ashtu, i akuzuari u obligua që të paguaj 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimi.
Ndryshe, pasi aktakuza e prokurorit Shaban Spahiu u konsiderua e lexuar, i akuzuari ka pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i tij, avokati Sevdail Zejnullahu tha se pranimin e fajësisë, klienti i tij e kishte bërë me vullnet, ndërsa në matjen e dënimit kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese.
Në anën tjetër, prokurori Spahiu kërkoi që ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim i paraparë me ligj dhe si rrethanë rënduese të merret parasysh rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre, por që në rastin konkret nuk janë shkaktuar pasoja efektive për të tjerët, kurse si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit si dhe faktin se sipas evidencës i njëjti nuk ka qenë më parë i dënuar për ndonjë vepër penale të këtij lloji apo tjetër.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2021, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Mefail Vogliqi po akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik Gërlica-Company-SHPK, me seli në fshatin Babush, Komuna e Ferizajit, me vetëdije ka shkelur rregullat e Ligjit për Prokurimin Publik.
Sipas akuzës, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoritet kontraktues, ka paraqitur dokumentacion të rremë, përkatësisht pa autorizimin e Arben Kastratit-Inxhinier i Komunikacionit dhe të Agim Durgutit Inxhinier i Ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pas kurrfarë parakontrate apo kontratë të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale, përkatësisht dokumentet mbi përgatitjen e tyre profesionale si diplomat e tyre, për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë me datë 1 tetor 202, lidhur me projektin “Ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaqanik, faza e dytë”.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorim publik”, nga neni 415, paragrafi 1 të KPRK-së.
Vuçiq: Kushdo që e njeh Kosovën, Serbia do ta fillojë fushatën e çnjohjeve


