Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, zgjat 30 ditë, dhe duhet të fillojë në këtë rast nga 16 shtatori deri më 15 tetor.
Por për shkak të situatës se rënduar me pandeminë COVID-19, rasteve të shumta të vdekjeve dhe rasteve pozitive me coronavirus, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Kreu i LDK-së deri tani ka marrë përgjigje vetëm nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nga ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, por jo edhe nga Albin Kurti, kryetari i partisë më të madhe në vend, Lëvizjes Vetëvendosje.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka deklaruar se në partinë e tij ka mendim se duhet të diskutohet shkurtimi i fushatës zgjedhore.
“Ka një mendim se duhet të diskutojmë për të dakorduar një fushatë të shkurtuar. Besoj që të gjithë pa dallim të gjithë duhet ta kemi prioritet shëndetin publik. Padyshim që çka do që duhet është e nevojshme të ndërmerret për të siguruar një përmirësim të situatës dhe për të ruajtur maksimalisht shëndetin e qytetarëve tanë është e nevojshme të diskutojmë dhe të marrim vendime. Unë e konsideroj shumë të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen pa dyshim në nivelin e transparencës dhe demokracisë që tashmë e kemi dëshmuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Përgjigje ftesës së Abdixhikut i ka kthyer edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë.
“Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10. Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërsa, kreu i VV-së, Albin Kurti, ende nuk i ka kthyer përgjigje kryetarit të LDK-së, nëse është për shkurtimin e fushatës zgjedhore apo që ajo të mbahet një muaj siç e parasheh ligji.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 28 gusht, ka ashpërsuar masat kundër coronavirusit, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe shkurtimin e orarit për gastronominë.
Në bazë të këtij vendimi 30 persona lejohen në ambiente të mbyllura, kurse në ambiente të jashtme deri në 50 persona. Në këto raste, organizatori obligohet që të sigurojë distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
Javëve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të madhe të numrit të viktimave dhe rasteve të reja.