Lajme

40-vjeçari i plagosur në rrugën Gjilan-Kamenicë po operohet në QKUK

02/04/2026 23:40
nga:Lorik J

Personi i moshës rreth 40 vjeç i cili është plagosur sonte rreth orës 18:00 në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit, është duke u operuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Gazeta Express ka kontaktuar drejtorin e Klinikës Emergjente të QKUK-së, Naser Syla, i cili tha se i plagosuri është futur në sallën e operacionit për operim.

“I plagosuri është në gjendje të rëndë por stabile. Ndodhet në sallë të operacionit, është duke u operuar nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë Vaskulare dhe të Ortopedisë…Do ta vazhdoj trajtimin”, tha drejtori Syla për Gazetën Express.

Lidhur me rastin, Ismet Hashani, zëdhënës në Policinë e Gjilanit, tha për Gazetën Express se sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje.

“Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërsa po trajtohen nga autoritetet shëndetësore”, tha Hashani.

Ai shtoi se “njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin”.

“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast”, përfundoi ai.