Janë bërë gati 4 vite prej kur kanë nisur punimet në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, e cila është e gjatë 2.9 kilometra. Për këtë rrugë, të shtunën, kryeministri Kurti tha se pritet të përfundojë në shtator të këtij viti dhe vlera e saj është mbi 3 milionë euro.
Më 30 shtator të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte njoftuar se po atë ditë do të fillojnë punimet në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, më saktësisht nga rrethrrotullimi i fabrikës se baterive deri te kyçja e Autoudhës R 7.1.
Aso kohe, MI kishte thënë se gjatësia e rrugës është 2.9 kilometra dhe pritet të kushtojë 2 milionë e 860 mijë euro.
“Me këtë projekt do të zgjerohen dhe rregullohen edhe rrethrrotullimet te kthesa e fshatit Shillovë, që është nyja e unazës se qytetit të Gjilanit, rrethrrotullimi në Shillovë dhe ai te kyçja e Autoudhës R7.1 te bunari i Përlepnicës”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq, të shtunën Kurti publikoi një video të punimeve në këtë rrugë dhe tha se kjo rrugë është e gjatë 2.7 kilometra dhe vlera e saj është mbi 3 milionë euro.
“Rruga Gjilan-Bujanovc është vazhdimi i zgjerimit të daljes nga qyteti i Gjilanit në drejtim të Bujanovcit me gjatësi 2.7 km, me katër korsi, e me trotuar nga 2 metra në të dyja anët. Rruga ka infrastrukturë nëntoksore të kompletuar: kanalizim kabllor, fekal dhe atmosferik, ndriçim në mes dhe sinjalizim. Kontrata pritet të përfundojë deri në fund të shtatorit dhe vlera e saj është mbi 3 milionë euro”, ka shkruar Kurti.
Punimet në këtë rrugë, nga afër i kanë inspektuar javën e kaluar kryetari i komunës Alban Hyseni dhe ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu.
Duke përmendur edhe dy projekte tjera infrastrukturore, Aliu tha punimet po vazhdojnë me intensitet të shtuar e me ritme të shpejta.
“Në Gjilan, bashkë me kryetarin e komunës Alban Hyseni, në vizitë për të parë nga afër realizimin e punimeve që po vazhdojnë me intensitet të shtuar e me ritme të shpejta, për projekte shumë të rëndësishme infrastrukturore. Ky do të jetë viti i shumë prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e po vazhdojmë me punë konkrete për projekte në dobi të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai të hënën e kaluar.
Pakënaqësi për zvarritjen e punimeve në zgjerimin e kësaj rrugë kanë shfaqur edhe disa banorë të Gjilanit, të cilët protestuan në prill të këtij viti. Iniciuesi i tubimit, Endrit Isufi, u bëri thirrje autoriteteve lokale dhe atyre qendrore për përshpejtimin e punimeve.
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë që në këtë pjesë nga qyteti e deri te hyrja e fshatit Përlepnicë punimet po shkojnë fort ngadalë për të mos thënë se janë ndalur krejt. Kur e shohim se si po lëvizin me shpejtësinë e breshkës, ne shqetësohemi dhe humbim shpresat se do të përfundojë kjo rrugë”, ka thënë Isufi. “Jemi mbledhur këtu si iniciativë qytetare për të shprehur pakënaqësinë tonë qytetare dhe për t’u bërë me dije përgjegjësve lokalë dhe qendrorë se nuk asfaltohet rruga me këto mjete pune, një ose dy ditë në javë”, tha ai.


