4 mijë banesa me çmime të përballueshme për çiftet e reja që kanë nevojë.
Ky ishte një nga shumë premtimet e Albin Kurtit në fushatën e tij për kryeministër të vendit.
Por, derisa jemi në vitin e fundit të mandatit të qeverisë, ky premtim nuk është realizuar.
“Nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj,” pati thënë Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar 2021-2025.
Opozita e ka kritikuar kryeministrin për mos mbajtjen e këtij premtimi.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ndërtimi i banesave për çiftet e reja është gënjeshtra më e madhe e kësaj qeverie.

“Ndërtimi i banesave për çiftet e reja është gënjeshtra më e madhe qe Qeveria ka premtuar. U bënë 4 vite dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë sepse qëllimi i tyre ishte i qartë premtime dhe mashtrime të parealizueshme. Qytetarët tanimë janë dorëzuar sepse edhe matjet e fundit tregojnë se jemi 200 mijë banorë më pak”, thotë ajo.
Deputetja vlerëson se qeveria e shpresës është kthyer në qeveri të makthit dhe ky premtim nuk është asgjë, derisa VV ka harruar se çfarë ka bërë para se të vinte në pushtet.
“Qeveria e shpresës është kthyer në një qeveri të makthit për të rinjtë. Kjo qeveri ka mashtruar, ka djegur institucione, kanë vdekur njerëz për kauza të cilat pasi kanë ardhur në pushtet i kanë harruar dhe normalisht që gënjeshtra për banesa nuk është asgjë shqetësuese për ta”, thotë deputetja e LDK-së.
Kritike ndaj qeverisë për këtë çështje është edhe partia opozitare PDK.

Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu Shoshi, në një prononcim për Gazeta Blic thotë se ky premtim i Kurtit ka qenë mashtrim.
“Edhe premtimi për pajisje me banesa për çiftet e reja del të jetë mashtrim nga Albini! Në shkurt të vitit 2023 Albini pati premtuar se është vit ky premtim do të realizohet, bile edhe komunat si Prishtina, Gjilani dhe Peja edhe kanë siguruar këto prona. Pra, 4 mijë banesat për çiftet e reja me këst mujor 120 euro del të jetë mashtrim për ata të rinj që i kanë besuar këtij premtimi. Pronat janë por banesat nuk po shihen”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi./Gazeta Blic/


