Në një prononcim dhënë për GazetaBlic zyrtarja për informim nga IKSHPK-së Era Pireva, ka treguar për gjendjen aktuale me raste të shumta të rezultuar pozitiv me Covid 19 në vendin tonë
Ajo tha duhet respektuar masat e kujdesit, siç janë mbajtja e higjienës dhe shmangia e kontakteve me të infektuar.
“Pozitiviteti i testit SARS-CoV-2, ka patur një rritje duke treguar se popullatat vulnerabile mbeten në rrezik për zhvillim të formave të rënda. Analiza e situatës epidemiologjike ka treguar për rritje të numrit efektiv te riprodhimit dhe burimet e infeksionit janë në komunitet. Prandaj, të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm për të zbatuar masat e kujdesit duke filluar nga mbajtja e higjienës, shmangia e kontakteve me të infektuar dhe testimi”, tregon Pireva.
Sipas Pirevës nga IKSHPK, nga periudha 01.08 deri në 20.08 2024 janë raportuar 14 raste të hospitalizimit nga Klinika e Infektivës në Qkuk.
“Nga analiza e situatës epidemiologjike për periudhën 01.08.2024 – 20.08.2024 janë raportuar 14 hospitalizime nga Klinika Infektive, ndërsa në të njëjtën periudhë, nga testimet e bëra në IKSHPK, rezulton se aktualisht janë 380 raste aktive me COVID-19”, thekson ajo.
Pireva rekomandon të ketë vaksinim të popullatës në veçanti për personat me sëmundje kronike jo ngjitëse dhe personat 65 vjeç.
“Rekomandojmë vaksinimin e popullatës bazuar në Planin e Imunizimit, me theks të veçantë për grupet e rrezikut (personat me sëmundje kronike jongjitëse, personat 65 vjeç etj). Megjithëse njerëzit e vaksinuar ndonjëherë infektohen me virusin që shkakton COVID-19, rivaksinimi me vaksinat kundër COVID-19 ul ndjeshëm rrezikun për format e rënda të sëmundjes, për shtrimet në spital ose për rastet me fatalitet nga COVID-19”, njofton ajo.
“Vaksinimi vazhdon të jetë masë mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda, megjithëse efekti mbrojtës zbehet me kalimin e kohës. Mbrojtja vaksinale e individëve me rrezik të lartë të formave të rënda të COVID-19 (si p.sh. të moshuarit) mbetet i rëndësishëm”, përfundon Era Pireva.
/GazetaBlic/