Lajme

36 orë nga vrasja e trefishtë në Gllogjan – Autori i krimit makabër ende në arrati

11/28/2021 07:10
nga:Gazeta Blic

Mbrëmjen e së premtes, një person i maskuar ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që si pasojë la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.

Për gjetjen e përgjegjësit që ka kryer këtë vrasje të trefishtë, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë thënë që janë mobilizuar, mirëpo edhe pas 36 orëve asnjë i dyshuar nuk është kapur.

Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni kanë në lidhje me autorin e krimit t’i informojnë organet e drejtësisë.

Kërkimi po vazhdon nga të gjitha anët, teksa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë marrë informacione të shumta në lidhje me ngjarjen.

Sahide Gashi, prokurore e rastit në Gllogjan, tha se janë duke intervistuar shumë persona dhe çdo dëshmitar okular dhe se kanë bastisur një shtëpi në lidhje me rastin.

Përmes një konference për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për sulmin e mbrëmshëm në Gllogjan të bashkëpunojë me policinë.