Lajme

36 eurodeputetë s’duan prezencën e politikanit izraelit në Parlamentin Evropian

12/03/2024 23:47
nga:Sh R

36 deputetë të Parlamentit Evropian s’po pajtohen me ftesën për të pranuar një koleg izraelit.

Amit Halevi nga partia Likud, e njëjtë me atë të kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu, u ftua nga deputeti holandez Bert-Jan Ruissen i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), për të marrë pjesë në një konferencë lidhur me regjimin iranian.

Kjo ngjarje, e organizuar nga The Israel Alliance Foundation në bashkëpunim me grupin ECR, do të mbahet në Parlamentin Evropian në Bruksel të mërkurën, në 13:30 (sipas kohës lokale).

Megjithatë, një letër e firmosur nga 36 deputetë, e cila është marrë nga Euronews.com, i kërkon presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, të ndalojë pjesëmarrjen e Halevit.

Kjo letër u iniciua nga deputetja holandeze e grupit të Gjelbërve/EFA, Tineke Strik, në bashkëpunim me deputetin slloven të Socialisteve, Matjaž Nemec, dhe deputetin irlandez të grupit Renew Europe, Barry Andrews.

Në mesin e nënshkruesve janë deputetë nga grupet e Socialisteve dhe Demokratëve, Gjelbërve/EFA, Renew Europe dhe The Left.

Ata argumentojnë se pjesëmarrja e Halevit në këtë ngjarje në Parlamentin Evropian do të shkelte parime kyçe, përfshirë mosinteresimin, integritetin, hapjen, kujdesin, ndershmërinë, përgjegjshmërinë dhe respektin për dinjitetin dhe reputacionin e institucionit.

Kundërshtimi i referohet disa deklaratave “jashtëzakonisht shqetësuese, dehumanizuese dhe madje gjenocidale” që Halevi ka bërë gjatë muajve të fundit.

Letra thekson disa prej komenteve të tij kontraverse të vitit të kaluar, raporton Euronews.com.