Izet Sadiku, kandidati i LDK-së për deputet, ka thënë se numri 35 që e ka marrë si kandidat nuk ka qenë zgjedhje e tij personale, por ka qenë përcaktuar nga partia.
Ai në një intervistë për GazetaBlic ka theksuar se e sheh këtë si një avantazh, pasi krijon një emocion të veçantë për të.
Sadiku ka ndarë me publikun rrugëtimin e tij politik, duke përmendur angazhimin e tij fillestar si anëtar i Forumit Rinor të LDK-së, pastaj si anëtar i kryesisë së LDK-së dhe kryetar i Forumit Rinor për Kosovën.
“Kjo është rastësi, unë nuk e kam kërkuar numrin 35, por e ka përcaktuar partia. Besoj se kjo është avantazh sepse krijon një emocion të veçant për mua. Në fillim kam qenë anëtar i forumit rinor të LDK-së, pastaj prej vitit 1991 deri në 1997, kam qenë anëtar i kryesisë së LDK-së, pastaj kryetar i forumit rinor për Kosovë”, tha Sadiku.
Ai gjithashtu ka theksuar se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka kaluar një periudhë të vështirë, duke qenë i burgosur nga 21 maji 1999 deri më 3 nëntor të po atij viti. Pas kthimit, ai ka vazhduar angazhimin në politikë dhe gjithashtu ka përfunduar një specializim si infektolog.
“Gjatë kësaj periudhe, jam bërë edhe pjestarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 21 maj 1999 kam qenë i burgosur deri më 3 nënëtor. Pas kthimit tim, kam vazhduar si politikan në forumin rinor të LDK-së”, tha ai.
“Nuk jam marrë vetëm me politikë, kam kryer specializimin, jam infektolog. Sot, me propozimin e degës dhe me aprovimin e Abdixhikut, jam kandidat i LDK-së për deputet”, shtoi ai.
Sadiku i ftoi qytetarët që besojnë në programin e LDK-së të votojnë numrin 35, duke theksuar se ky numër përfaqëson angazhimin dhe punën e tij gjatë këtyre 35 viteve të veprimtarisë politike dhe shoqërore.
“Unë i ftoj qytetarët që i besojnë programit të LDK-së, të votojnë 35-shin, sepse kjo përmbledhet me kret aktivitetin dhe punën që e kam bërë në LDK, për këto 35 vite”, tha ai.