Lajme

34 vjet nga mbyllja e dhunshme e RTP-së, Maloku: Ishte i vetmi zë i popullit

07/05/2024 22:50
nga:Sh R

Mbyllja e RTP-së, 34 vjet më parë, nga regjimi totalitar serb, ishte një atak mbi informimin shqip me tendencë të shuarjes dhe shtypjes së kërkesave gjithë-popullore në vitet 90-ta të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa dritarja e vetme e informimit u mbyllë dhunshëm nga regjimi serb, gjë që solli terr informativ në Kosovë.

Megjithatë, ish-gazetari i RTP-së, Enver Maloku, thotë se gazetarët gjetën alternativa për ta informuar publikun.

“Në ato momente isha brenda në studiot e TVP-së kur kanë ndërhy forcat policore dhe dhunshëm e kanë ndërprerë një ditar që shkonte në tërë rrjetin e Jugosllavisë atëherë në gjuhën shqipe. Tërë ai arsenal, tërë ato forca policore, ndërhynë të armatosur, ndërsa ne kishim një laps, një letër, si arma e vetme e gazetarit”, ka thënë Maloku.

Maloku thotë se RTP ishte i vetmi zë dhe pamje e popullit. Por edhe pse u mbyll, gazetarët krijuan alternativa për ta informuar popullin dhe botën për zhvillimet që po ndodhnin në Kosovë.

“Megjithatë nuk ndodhi terri apsolut informativ, pasi u gjetën alternativa të tjera 5 minutëshe në Radio Zagrebin dhe programin satelitor në RTSH, ku edhe përmes këtyre valëve u përhap e vërteta”, ka thënë ai.

Gazetari Maloku ka një porosi për gazetarët e rinj.

“Mendoj krejt normale është që kanë ndodhur freskime e rifreskime, ardhje të kuadrove të reja. Televizioni publik të them kushtimisht vazhdon rrugëtimin e tij normal. Po pikërisht ajo maksima e njohur informim objektiv dhe i vërtetë kjo do të ishte sugjerimi im”, ka shtuar Maloku.

Me mbylljen e televizionit të vetëm në vitet 90-ta, shteti serb nuk lejoi hapjen e asnjë televizioni tjetër përgjatë një dekade.radio.