Lajme

32 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut, Osmani: I përulemi guximit të delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës

09/07/2022 10:10
nga:G B

Presidentja Vjosa Osmani, në 32 vjetorin e themelimit të Kushtetutës së Kaçanikut, ka kujtuar guximin qytetar e vetëdije kombëtare të atyre që e krijuan atë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Faebook, ajo ka thënë se i përulet guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre, derisa ka thënë se ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë.

Postimi i saj i plotë:

32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.

Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik!