Lajme

300 nxënësit e Carrallukës, pa psikolog shkollor

01/30/2026 19:50
nga:Sh R

Në mëngjes, teksa ora e parë mësimore ka nisur dhe në korridore nuk dëgjohet asnjë zë fëmije, një vajzë e vogël hyn në heshtje në shkollë me çantën në krah e hapa të ngadalshëm. Arsyet pse është vonuar, pse është kaq e heshtur dhe çfarë e shqetëson, do të duhej t’i trajtonte një psikolog – profesionist që mungon në këtë institucion.

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Hilmi Hoti”, në fshatin Carrallukë të Malishevës, nuk ka asnjë psikolog shkollor. Drejtoresha Sofije Thaçi thotë se nevoja për një profesionist të tillë është mjaft e lartë, sidomos duke marrë parasysh faktin që shumë fëmijë ndërpresin mësimet dhe arsyet mbesin të paqarta, raporton Kiks Kosova.

Edhe pse shkolla numëron rreth 300 nxënës, Thaçi thekson se kjo nuk e përjashton nevojën që çdo fëmijë të ketë qasje të barabartë te një psikolog që do t’i dëgjonte problemet e tyre. Ajo shton se secili nxënës meriton trajtim të njëjtë, pavarësisht numrit total të fëmijëve.

Sipas Udhëzimit Administrativ, shkollat obligohen të punësojnë pedagogë në raportin 1 me 1 mijë nxënës. Për këtë arsye, pedagogu i kësaj shkolle, Mifail Krasniqi, detyrohet të punojë edhe në katër shkolla të tjera për të përmbushur kriterin. Ai vlerëson se ky model duhet të ndryshojë urgjentisht, pasi fëmijët janë ata që vuajnë pasojat për shkak të mungesës së mbështetjes së duhur.

Krasniqi shton se ekspozimi i madh i fëmijëve ndaj teknologjisë e rrit edhe më shumë nevojën për pedagogë e psikologë në shkolla.

Zyrtarët e “Hilmi Hoti” kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të ndryshojë sa më shpejt kriteret për punësimin e psikologëve shkollorë, në mënyrë që nxënësit të marrin mbështetjen që u nevojitet.