Lajme

3 vite e 8 muaj burg dhe 2 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për shitblerje të armëve

01/23/2023 10:34
nga:N M

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është bërë shpallja aktgjykimit për të akuzuarit Shpetim, Besim dhe Fehmi Begolli, të akuzuar për krim të organizuar dhe për Importi, Eksporti, Furnizimi, Transporti, Prodhimi, Këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësja Valona Musliu-Selimaj, ku sipas saj, të akuzuarit Shpetim, Besim dhe Fehmi Begolli janë fajtor për veprën penale Importi, Eksporti, Furnizimi, Transporti, Prodhimi, Këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Fillimisht të akuzuarit Shpetim, gjykata e dënoi me 1 vit e 8 muaj burgim, dhe me 1 mijë euro gjobë, të akuzuarin Besim me 1 vit burg dhe 500 euro gjobë dhe Fehmi Begolli me 1 vit burg dhe po ashtu 500 euro gjobë.

Ndërkaq gjykata ta akuzuarit Shpetim, Besim dhe Fehmi Begollin i liroi nga akuza për krim të organizuar, kjo pasi gjykata ka bërë analizimin e provave material duke bërë edhe rikualifikim e veprës penale.

“Pas analizimit të provave material gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale dhe ka gjet se të njëjtit nuk janë fajtor për veprën penale krim i organizuar, por të të njëjtit janë përmbush të gjitha elementet e veprës penale Importi, Eksporti, Furnizimi, Transporti, Prodhimi, Këmbimi, Ndërmjetësimi ose Shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, shtoi gjykatësja Musliu-Selimaj.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Vladica Miladinoviq, për të cilin gjyqtarja e atëhershme në seancën fillestare të mbajtur më 2 tetor 2014 me propozim të prokurorisë e kishte veçuar procedurën, pasi që i njëjti nuk kishte qenë i pranishëm në seancë.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Rasha Steviç dhe Samin Qehaja, për Steviç është veçuar procedura penale, ndërsa për Qehajën është hudhur poshtë akuza dhe ka pushuar procedurën penale, pasi që i njëjti është akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2014 të akuzuarit Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli si dhe Rasha Steviç i kishte shpallur fajtorë.

Pas ankesës së ushtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit me vendimin e 29 majit 2015, këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Po ashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se pranimi i fajësisë nuk është bërë në përputhje me dispozitat e KPP-së, pasi që sipas shkresave të lëndës dhe nga vetë përmbajtja e pranimit të fajësisë, të akuzuarit nuk e kanë kuptuar përmbajtjen e pranimit të fajësisë.

Në aktakuzën e 5 qershorit 2014, thuhet se të pandehurit Shpëtim Begolli, Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç, Vladica Miladionoviq dhe Jashar Jashari, gjatë periudhës kohore prej 9 shtator 2013 e deri më 5 dhjetor 2013 me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, blerje dhe shitje të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, thuhet këtë e kanë bërë në atë mënyrë që duke marrë instruksione dhe udhëzime nga i pandehuri Shpëtim Begolli, i cili nga Burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me ta dhe ka menaxhuar veprimtarinë mbi furnizimin dhe shpërndarjen e armëve si dhe të municionit për to.

Tutje, thuhet se kështu të pandehurit tjerë me vetëdije kanë sjellë sasi të madhe të armëve dhe atë një pushkë gjuetie modeli rus, 26 pistoleta me gaz të modeleve të ndryshme dhe atë 25 prej tyre të tipit “Zoraki” model 940 dhe tjera e të njëjtit tip modeli 917-B dhe 3 mijë e 500 fishekë të kalibrit 9mm, të cilat i kanë sjellë të pandehuri Rasha Steviç dhe Vlladica Miladinoviq nga Serbia për në Kosovë, me qëllim që t’ua shesin të pandehurve Fehmi e Besim Begolli.

Tutje, aty pretendohet se këtë e kanë bërë duke e ditur që importin, furnizimin, transportin, këmbimin, ndërmjetësimin dhe shitjen e tyre po e bëjnë pa autorizim, të cilat i kanë gjetur zyrtarët policorë me rastin e ndalimit të tyre në fshatin Bërnicë, Komuna e Prishtinës, më 5 dhjetor 2013, gjatë kontrollimit të automjeteve të tyre në veturën e markës “Audi 89”, në bagazhin e asaj veture dhe nën ulësen e pasme.

Ndërsa, thuhet se me rastin e kontrollimit te shtëpia e të pandehurit Milandinoviq kanë gjetur edhe një bajonetë-thikë, ndërsa i pandehuri Jashar Jashari nga i pandehuri Besim ka blerë armë dhe municion, e të cilat më pas ua ka shitur personave të ndryshëm, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një revole e “PARA” 9 mm dhe municion të kalibrit të ndryshëm si dhe pjesë të ndryshme të armëve.

Me këtë, në bazë të aktakuzës i pandehuri Shpëtim Begolli thuhet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, aktakuza thotë se të pandehurit Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç dhe Vladica Milandinoviq kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, Samin Qehaja, sipas aktakuzës në fjalë që prej periudhës së pavërtetuar e deri më 16 prill 2014, në shtëpinë e tij, pa leje valide të organit kompetent ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pushkë gjuetie të markës Calt, karikator si dhe 67 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe aktakuza e ngarkon për mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve. /BetimipërDrejtësi