Lajme

3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqipëri

11/26/2024 20:45
nga:Y I

Pas tre orësh protestë në pikat kryesore të Tiranë, opozita ka përmbyllur protestën e tretë të mosbindjes civile, duke hapur qarkullimin në pikat e bllokuara.

Nga Bashkia e Tiranës, Belind Këlliçi falënderoi qytetarët dhe përcolli mesazhin se koha kur punohej për të zhbërë opozitën ka marrë fund. Duke sjellë në vëmendje rezolutat e fundit evropiane, Këlliçi theksoi se po fryn era e ndryshimit e PD-së dhe e opozitës.

“Falënderoj protestuesit për qëndresën e sotme në aktin e tretë të mosbindjes civile, qytetarët demokratët. Koha kur punohej për të zhbërë opozitën ka marrë fund. Javën e kaluar me dy rezolutat e fundit të Internacionales të partive të djathta dhe PPE e kuptoni që një erë ndryshe po fryn. Era pro opozitës e PD-së dhe pro rikthimit të shtetit tonë në kufijtë e kushtetutshmërisë”.

Ai falënderoi qytetarët dhe protestuesit që pavarësisht dhunës nuk u tërhoqën dhe paralajmëroi vijimin e betejës në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

“Tentuan sot t’ju dhunonin, ju goditën, lagën, ju fyen por nuk u tërhoqët. Mirënjohje për juve qytetarët që në 5 pikat kryesore dhatë mesazh të qartë, të vendosur përballë regjimit të Ramës. Nëse keni menduar se me pinjollët e diktaturës do ndalni opozitën dhe PD-në, e kemi gabim. Ne do vijojmë betejën tonë protesta në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë. Bashkia e Tiranës vijon të mbahet peng nga kreu i 5d i grupit të strukturuar kriminal. Së shpejti në protestë para selisë së 5D, jo vetëm këtu por në të gjithë qytetet. Ftoj protestuesit të marshojmë para selisë së PD-së”.

Më herët deputetja Dhurata Çupi në një lidhje me A2 CNN deklaroi se janë disa qytetarë të shoqëruar dhe disa të lënduar.

“Kemi disa qytetarë të degës 9 të shoqëruar dhe disa që po mjekohen se janë dëmtuar në mbylljen e protestës, do jemi në komisariate, kanë shoqëruar shumë gra nga dega 5”.

Protesta nisi në orën 17:00 me përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit kishte njoftuar PD-në se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, çka është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës. Gjatë kësaj proteste ishin të angazhuara rreth 1 mijë forca policie në 5 pikat kryesore të Tiranës. /A2