Punëtorët e ndërmarrjes publike “Gjelbër” ka 3 muaj që nuk kanë marrë paga.
Kështu thotë për Gazeta Blic një punëtor i kësaj ndërmarrje, teksa thotë se po punojnë nën presion, herë duke u thënë që të drejtohen te komuna, e herë të qeveria.
“5 muaj problem me paga por 3 muajt e fundit kanë stagnuar fare, s’kemi marrë paga në ndërkohë puna ka vazhduar me presion, punëtorët nuk janë lënë të veprojnë nga sindikatat. Disa kanë thënë se është problemi te Komuna e Prishtinës, ka shkuar sindikata te Komuna, ka thënë se me neve jeni në rregull se ka qenë keqmenaxhim i kompanisë. Kur jemi kthyer në kompani na kanë drejtuar te qeveria. Ne e dimë që buxheti nuk bëhet çdo ditë por ndahet një herë në vit. Kështu që sipas neve është krejt si pasojë e keqmenaxhimit dhe mbingarkesa me staf administrativ”, ka thënë ai.
Punëtori tregon se ndërmarrja ka mbi 200 punëtorë në terren dhe se kushtet e punës nuk i kanë aspak të mira, teksa detyrohen të blejnë vet dorëza e maska.
“Ne jemi më shumë se 200 punëtorë në terren ndërsa stafi administrativ është rritur në masë të madhe. Ne i kemi pasur vetëm 2 koordinatorë në Prishtinë, tani i kemi 6-7 koordinatorë, dy drejtorë operativ, drejtori ekzekutiv. Puna në terren është shumë e vështirë, edhe me kushte tejskajshme të rënda. kemi ndërmarr masa edhe në një vend që ka pasur minj, na kanë detyruar të kryejmë punën pa maska, maskat i kemi blerë vet, edhe na kanë thënë se ne duhet ta kryejmë punën sepse nuk ka kush tjetër, kështu që është shumë e rëndë të detyrohesh të kryesh punën në një vend të tillë, pa maskë e pa mjetet e duhura të punës. Po ne si punëtorë kemi treguar obligim moral tonin për qytetarët e Prishtinës, edhe pse mjetet e punës i kemi blerë vet. Kushtet e punës nuk janë të mira, pasi firma është në falimentim e sipër, s’mund të sigurojnë mjete pune si dorëza apo qese, pasi ne i mirëmbajmë parqet e Prishtinës”, ka treguar ai për Gazeta Blic.
Ai thotë se nëse nuk i marrim pagat, s’do të vazhdojnë punën.
“Nuk mendoj se do të vazhdojmë të punojmë pa paga. Shpresoj që këta të tregohen më të drejtë dhe shpirtmirë me neve. Ne do ta ndalim punën sepse situata ka filluar të eskalojë sepse secili jemi kredi nëpër banka. Shumica dërmuese e punëtorëve janë mbi 50 vjeç që nuk kanë ku të kërkojnë punë tjetër”.
Madje, thotë se të gjithë janë në kredi dhe u janë bllokuar dhe garantuesit e kredive.
“Pa paga jemi që 3 muaj, realisht na i kanë bllokuar edhe garantuesit që kanë garantuar për neve në kredi, kjo na ka shtyrë të vijmë deri në këtë pikë, pasi nuk kemi pasur përgjigje definitive”, shton ai.
Greva thotë se ka qenë masa që kanë menduar ta marrin.
“Kemi menduar të futemi në grevë. Sindikata që e paguajmë nuk po merr asnjë masë, na i thërrasim, ata na drejtojnë te komuna “kemi folë me ata, kemi folë me këta”, realisht nuk ka asgjë konkrete. Pa paga jemi edhe administrata, edhe punëtorët e terrenit”.
Ai shton se kanë duruar për shkak të zgjedhjeve lokale, por s’mund të durojnë më.
“Asnjë lëvizje nuk ka, kjo është bërë më shumë çështje politike. Ne për hatër të zgjedhjeve lokale duruam, nuk dolëm në media as askund, për mos ta prishur imazhin e askujt, por këta thanë derisa të formohet qeveria, por ne të vazhdojmë kështu deri të formohet qeveria jo e tepërt, por është eskaluese sepse ajo mund të mos formohet deri në janar, shkurt apo mars e bankat nuk po presin, ne jemi ajo shtresa që kemi mbetur duke mos ditur nga t’ia mbajmë, në cilën derë të trokasim”, shprehet ai.
Krejt në fund, punëtori ka një thirrje.
“Thirrja ime është që jenë më korrekt, mos t’i lëshojnë pozitat në prag të zgjedhjeve e të kondidojnë për asamble komunale, është mirë që të rrinë me kompaninë. Po shpresoj që të bëhet më e mira për ne, edhe pse nuk është bërë”, ka deklaruar ai./Gazeta Blic/


