Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në këto 26 vite Shërbimi Korrektues ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim, por drejtësia është përgjegjësi, ndërtim dhe besim.
“Falë punës që zyrtarëve të këtij shërbimi të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit por edhe në edukimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, u zotua për një sistem drejtësie të qëndrueshëm, modern dhe të besueshëm. “Jemi të inkurajuar të jemi këtu për të ndërtuar një institucion që bart mbi supe një mision delikat e të domosdoshëm për shtetin ligjor, SHKK-në,” shtoi ai. Edhe përfaqësues nga misionet EULEX dhe OSBE theksuan përkushtimin dhe angazhimin e tyre në forcimin e profesionalizmit, rritjen e trajnimeve dhe modernizimit dhe çështjeve qe lidhen me sigurinë.


