Aktivisti Arton Muhaxheri ka kujtuar sot një nga ditët më të errëta të historisë së Pejës dhe Kosovës – 26-vjetorin e dëbimit masiv të qytetarëve nga pushtuesi serb.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka përshkruar dhimbjen e asaj dite, kur mijëra familje u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke u shpërndarë drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi, pa e ditur nëse do të ktheheshin ndonjëherë.
“26 vite më parë, Peja u zbraz me dhunë. Një qytet i tërë u dëbua, rrugët u mbushën me lot dhe pasiguri. Por ne u kthyem! Plagët mbetën, por edhe forca për të ringritur vendin tonë. Sot, Kosova ecën përpara – e lirë, e zhvilluar, krenare për rrugëtimin e saj,” ka shkruar Muhaxheri.
Ai thekson se, ndonëse dhimbja e atyre ditëve mbetet e gjallë, Kosova ka dëshmuar qëndresë dhe progres, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë. “Lavdi atyre që nuk mbijetuan! Nderim për të gjithë ata që nuk harruan!” – përfundon postimi i tij.