Tri partitë opozitare propozuan një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, 26 janar 2025, raporton Gazeta Blic.
Propozimin e bënë ata sot në takimin e mbajtur me presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive tjera, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se partia e tij është për zgjedhje në çfarëdo date.
“Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian. PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit”, shkroi Krasniqi.
Ndërsa, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se për LDK-në zgjedhjet janë gjithmonë festë.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme.
Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë!
Si manifestim i demokracisë, si rikthim tek qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Pro të njëjtës datë ishte edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai shkroi në Facebook se shpreson që presidentja ta caktojë 26 janarin datë të zgjedhjeve.
“Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndryshe, në takim prezent ishin 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.
Në takimin e thirrur nga Presidentja nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.
Nga VV nuk shkoi Albin Kurti si kryetar i partisë, edhe pse e kishte ftesën. Ai në të njëjtën kohë ishte në një takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë./Gazeta Blic/
Osmani përmend katër data që mund të mbahen zgjedhjet e rregullta


