Lajme

250 student do të përfitojnë bursa nga Hungaria, njofton ministria e Arsimit

01/18/2024 14:16
nga:G C

Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për bursa gjatë periudhës 2024- 2026.

Kjo u bë e ditur sot gjatë një postimi në Facebook nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shkruan lajmi.net.

Përfitues të këtyre bursave do të jenë 225 studentë kosovarë, të cilëve do t’iu mundësohet studimi në universitetet prestigjioze hungareze.

Postimi i plotë:

MAShTI nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Hungarinë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, për Programin e Bursave Stipendium Hungaricum, për vitet 2024–2026.

Qëllimi i këtij Memorandumi është të lehtësojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke kontribuar kështu, në një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm në fushën e arsimit të lartë.
225 studentë kosovarë do të kenë mundësi të studiojnë në universitete prestigjioze hungareze duke nisur nga viti akademik 2024/2025.

Ministrja Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për mbështetjen financiare të studentëve nga Kosova ndër vite, me theks mbështetjen e cila pritet që të ofrohet përmes këtij Memorandumi, përgjatë dy viteve.
Ministrja Nagavci ka thënë se, përgatitja e kuadrove në fusha të caktuara me interes për shoqërinë, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

Ndërsa, Ambasadori i Hungarisë, Bela Boszik ka falënderuar ministren për gatishmërinë e saj për të thelluar bashkëpunimin dhe u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fushën e arsimit.
Në kuadër të këtij programi, Hungaria do të ofrojë çdo vit 75 bursa Bachelor, Master, dhe PhD për studentët kosovarë që duan të studiojnë në universitetet hungareze në drejtimet Bujqësi, Shkenca Shoqërore, Shkenca Natyrore, Arte dhe Shkenca të Humanizmit, Art dhe Dizajn etj.

Rreth kësaj ka folur edhe Ministrja Arbërie Nagavci, ku ka thënë se Hungaria do të ofrojë çdo vit nga 75 bursa në Bachelor, Master dhe PhD, për studentët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë atje.